Zelandës së Re i kthehet Coronavirusi pas 24 ditësh

Prishtinë | 16 Qer 2020 | 08:37 | Nga Ekonomia Online

Zelanda e Re i ka regjistruar dy raste të reja të coronavirusit pas 24 ditësh pa ndonjë rast pasi dy gra që erdhën nga Britania e Madhe dolën pozitive pas testit.

Gratë ishin liruar para kohe nga karantina dhe kishin marrë leje për të udhëtuar me veturë nga qyteti Auckland për në Wellington për rreth 650 kilometra, bënë të ditur zyrtarët shëndetësorë.

Udhëtimi ishte lejuar si përjashtim nga karantina e obligueshme me qëllim të vizitimit të një prindi që ishte duke vdekur. Ashley Bloomfield, drejtor i përgjithshëm i shëndetësisë, tha se gratë e infektuara kanë bërë gjithçka si duhet dhe nuk i kanë rrezikuar të tjerët.

Megjithatë, lajmi për udhëtimin e tyre e detyroi qeverinë që ta pezullojë politikën e ofrimit të përjashtimeve nga rregullat e karantinës, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazetaexpress.

Këto raste u shënuan në Zelandën e Re pas më shumë se tri javëve dhe u diagnostikuan me sëmundjen e re një javë pas shërimit të personit të fundit të konfirmuar si i infektuar.

Gratë e infektuara kishin ardhur përmes një fluturimi nga Britania e Madhe në Australi më 7 qershor. Banorët e Zelandës së Re që kthehen nga vendet e huaja janë të detyruar të qëndrojnë në karantinë dyjavore në një hotel.

Të ngjashme