Tirana do të jetë mikpritëse e dy samiteve më 28 dhe 29 shkurt.
I pari do të mbahet të mërkurën e 28 shkurtit ku për herë të parë në kryeqytetin e Shqipërisë do të organizohet një samit dedikuar Ukrainës, ku prezent do të jetë edhe vetë presidenti, Volodymyr Zelenksy.
Kreu i shtetit të Ukrainës pritet që të mbërrijë mbrëmjen e së martës për të marrë pjesë në këtë samit, ku do të jenë të pranishëm edhe liderët e vendeve të Evropës Juglindore.
Policia e shtetit ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e vizitës së presidentit të Ukrainës, ndërkohë që në këtë kuadër duke nisur nga nesër disa rrugë do të bllokohen.
Kështu 1 mijë e 500 forca policore do të jenë në terren, ndërkohë që të gatshëm do të jetë i gjithë reparti RENEA.
Policia rrugore do të ndalojë që nga nesër parkimet në rrugët që do të bllokohen për dy samitet. Po ashtu në të gjitha pikat kufitare janë dërguar të gjitha informacionet dhe përmbajtjet e personave që dyshohet se kanë prirje ekstremiste të mos lejohen të futen në vend.