Ministria e Shëndetësisë, ka pranuar një donacion prej 100 mijë teste molekulare nga “Kosovo Foundation for Open Society” raporton Ekonomia Online.
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka thënë se ky donacion është i rëndësishëm për menaxhimin e pandemisë për fazat tjera.
“Lajmi i mirë është që kemi pranuar 100 mijë teste molekulare në shumën prej 1.5 milion dollarësh. Ky donacion është i rëndësishëm që ta kemi në kontroll situatën pandemike. Kjo ndihmë do na ndihmojë të gjithëve që të ecim sigurt më tutje. Se bashku me Qeverinë dhe kryeministrin Hoti ky lajm përveç që na gëzon na obligon të vazhdojmë përgatitjet për fazat e tjera të pandemisë”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ka thënë se Kosova është në një situatë emergjente, pavarësisht që situata me menaxhimin e pandemisë është nën kontroll.
Ai ka thënë se janë duke punuar që të rrisin numrin e testimeve.
“Ne jemi në një situatë emergjente pavarësitë që Kosova është një nga vendet qe e ka nën kontroll pandeminë” ka thënë Zemaj.
“Përderisa vendet e tjera kanë shënuar rritje të rasteve ne jemi në një situatë stabile”
“Kemi tri pajisje shtesë nëpër qendrat rajonale dhe kemi bërë disa përmirësime fizike në spitale. Ne po sigurojmë procedura që të kemi rritje të kapaciteteve testuese. Ne do vazhdojmë ta rrisim testimin edhe në forma tjera”, tha ai.
Kurse Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Shoqëri të Hapur (KFOS), tha se këtë vit është shtuar në agjendën e tyre ndihma për institucionet e Kosovës dhe theksoi se ky kontribut do të ndihmojë qytetarët e Kosovës në ballafaqimin me pandeminë.