Zemaj kërkon që të përkrahet propozimi për buxhet shtesë për mjekë të rinj

Prishtinë | 28 Dhj 2020 | 21:55 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pas kalimit të Ligjit të Buxhetit në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, ka adresuar tri kërkesa të arsyeshme për përkrahje shtesë buxhetore, si nevojë e mbështetjes për furnizim të domosdoshëm me barna.

Zemaj tha se përkundër shtimit të numrit të profesionistëve shëndetësorë, ka ende mungesa të stafit.

“Po ashtu, është e njohur që përkundër shtimit të numrit të profesionistëve shëndetësorë, akoma ky sektor ka mungesa të konsiderueshme me të cilën duhet vazhduar rritja e numrit qoftë edhe për përballjen me pandeminë Covid19”, shkruan ai në profilin e tij zyrtar.

Tutje, Zemaj ka kërkuar që të përkrahet propozimi për buxhet shtesë për mjekë të rinj

“Avancimi profesional i mjekëve të rinj, të cilët në këtë vit ju mundësua të kyçen në sistemin shëndetësor përmes shkollimit specialistik, MSh dhe Qeveria ofroi mundësi pagese për më shumë se 80% të të pranuarave, ndërsa nevoja për përkrahje buxhetore konsiston edhe arsyeshmërinë që të rritet buxheti edhe për 270 specializantë të cilët janë bërë pjesë e shkollimit specialistik me vetëfinancim. Duke pasur parasysh se kushtet ekonomike por edhe nevojën për më shumë specialistë të fushave të ndryshme, kërkojmë që të përkrahet propozimi për buxhet shtesë për këta mjekë të rinj”, thuhet tutje në postimin e tij.

Ministri Zemaj tha se beson fuqishëm se Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale po ashtu edhe Komisioni për Buxhet dhe Transfere do të përkrahin këto kërkesa.

“Sigurisht që fjalën përfundimtare e kanë deputetët e Kuvendit të cilët jo rrallë herë kanë kërkuar dhe kanë shfaqur përkrahje për fëmijët të cilët vuajnë nga “Fibroza Cistike”, rritje të numrit të profesionistëve shëndetësor si dhe mundësi më të mira për të vazhduar mjekët e rinj shkollimin dhe avancimet profesionale”, thuhet në fund.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme