Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, në një konferencë për medie ka prezantuar lirimin e masave të ndërmarra nga Qeveria gjatë së premtes, raporton Ekonomia Online.
Zemaj theksoi se nëse ka rritje të numrit të të infektuarve do të marrin masa nëse është nevoja edhe me mbyllje të tërësishme.
Sipas tij, të gjitha aktivitetet e lejuara duhet të zhvillohen duke u bazuar në protokollet përkatëse dhe udhëzimet përkatëse për parandalimin e rasteve të Coronavirusit.
Zemaj ka paralajmëruar gjobitje të bizneseve apo individëve në rast se vendimet e fundit të Qeverisë për lehtësim të masave nuk respektohen.
“Të gjitha aktivitete e lejuara duhet të bazohen me udhëzime dhe Manualin për COVID-19″.
“Bazuar në kompetencat për MSh-së dhe institucioneve të tjera që janë dhënë nga ligji COVID, do të gjobitën ata që shkelin rregullat e përcaktuara”,
Ai potencoi se do të shtohen edhe 75 inspektorë për të inspektuar respektimin e tyre.
Zemaj e ka quajtur lajm të mirë ardhjen e ekipit të ekspertëve nga Gjermania.
“Lajmi më mirë është se instituti Robert Koch ka futur edhe njohjen e testit të IKShPK-së”.
Fjalimi i plotë:
Të nderuara media,
Të nderuar qytetarë,
Ju falënderojmë shumë që keni ardhur sot në këtë konferencë për media dhe gjithashtu edhe për raportimin e rregullt dhe korrekt lidhur me situatën me pandeminë Covid-19 në Kosovë.
Rezultate pozitive të shënuara në javët dhe ditët e fundit, sigurisht janë kontribut edhe i juaji me raportimet dhe storiet e përditshme nga klinikat dhe repartet, ku profesionistët tanë shëndetësorë kanë punuar që nga fillimi i pandemisë për të menaxhuar një situatë të re, të panjohur më parë dhe me shumë rreziqe, për çka ju jemi mirënjohës.
Siç e dini, falë punës së përbashkët të gjitha institucioneve shëndetësore, Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK-së, SHSKUK-së, Kujdesit Parësor, kryetarëve të komunave, Policisë, Inspektorateve, zjarrfikësve dhe shërbimeve të tjera, për momentin kemi një situatë më të qetë sa i përket Covid-19 dhe si rezultat i kësaj:
Qeveria e Kosovës dje ka miratuar rekomandimet e MSh-së për lirimin e disa masave që kanë të bëjnë më heqjen e kufizimeve në lëvizje, zgjatjen e orarit të gastronomisë, lejimin e disa aktiviteteve sportive e kulturore, dhe disa masave të tjera, të cilat u japin më shumë frymëmarrje veprimtarive të tjera, me qëllim që edhe ato të zhvillohen gradualisht pas një fazë të vështirë si për sektorin shëndetësor, ashtu edhe për ekonominë dhe sektorët e tjerë.
Të gjitha aktivitetet e lejuara dhe ato që janë lejuar më parë duhet të zhvillohen duke u bazuar ekskluzivisht në protokollet përkatëse sektoriale dhe në udhëzimet e Manualit për ndalimin e përhapjes së Covid-19.
Por, nga kjo konferencë, dua të tërheq vërejtjen, se bazuar edhe në kompetencat që tashmë MSh-së dhe institucioneve të tjera u janë dhënë me LIGJIN PËR PARANDALIMIN E PËRHAPJES SË COVID -19, për ata që i shkelin rregullat, më nuk do të shqiptohen vërejtje paraprake, por do të shkohet drejtpërdrejt në gjoba dhe, urojmë të mos ndodh, por do të shkohet edhe në mbyllje të lokaleve apo veprimtarive që i shkelin rregullat e përcaktuara për menaxhimin e Covid-19.
Që të lehtësojmë zbatimin e masave, unë kam nënshkruar dje edhe vendimin për masat e përgjithshme mbrojtëse dhe për përdorimin e maskës mbrojtëse në mënyrë obliguese , kurse, me qëllim që qytetarëve t’u lehtësojmë informimin se ku duhet dhe ku nuk duhet bartur maskën dhe gjithashtu edhe institucioneve zbatuese, kemi vënë në dispozicion për të gjitha palët, qysh mbrëmë edhe Udhëzuesin për përdorimin e maskës mbrojtëse dhe mbulesave të fytyrës në komunitet të përgatitur nga ekspertët tanë, duke u referuar edhe në praktikat dhe udhëzimet që kanë bërë OBSH dhe ECDC.
Pra, po punojmë që jo vetëm të marrim masa, por edhe të lehtësojmë zbatimin e tyre dhe në të njëjtën kohë të rrisim edhe monitorimin me qëllim që të ruajmë shëndetin publik që është prioriteti i parë.
Për këtë qëllim, këto ditë do të shtojmë numrin e inspektorëve për 75, që bashkë me Policinë e Kosovës do të ndihmojnë në zbatimin e masave të reja.
Një informacion tjetër që dua ta ndaj sot me ju dhe qytetarët është se këtyre ditëve në Kosovë është duke qëndruar një mision prej rreth 25 ekspertëve të Institutit prestigjioz “Robert Koch” nga Gjermania, i cili po analizon nevojat tona dhe reagimin tonë ndaj Covid-19, dhe po punojnë bashkë me ekipet tona që përgjigja e mëtejme ndaj pandemisë të jetë sa më e suksesshme dhe duke u bazuar edhe në përvojën e mirë gjermane.
Lajmi i mirë është se Instituti “Robert Koch” ka futur në listën e vet Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të IKSHPK-së për njohjen e testeve PCR të Institutit tonë.
Pra, siç e shihni, kemi pasur mjaft aktivitete dhe rezultate të mira gjatë kësaj kohe, ndërsa nga kjo konferencë ju bëj thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të zbatojnë më përgjegjësinë më të lartë masat mbrojtëse duke bartur maskën, ruajtur distancën dhe higjienën, sepse vetëm kështu mund t’ia dalim së bashku.
Punë e përbashkët po tregohet e suksesshme dhe ne duam ta vazhdojmë këtë komunikim dhe bashkëpunim.
Në vazhdim profesor Ramadani do të komunikojë rezultate ditore për Covid-19, ndërsa dr. Valboni të dhënat rreth të hospitalizuarve në ShSKUK.