Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë e Kosova tashmë ka plan të hartuar se si do të zhvillohet vaksinimi kundër koronavirusit, kur është pyetur për premtimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se stafin shëndetësor të Kosovës do ta vaksinojnë në Kukës.
Rama të premten, pasi Shqipëria mori dozat e para të vaksinës së “AstraZenecas”, premtoi se do të ofrojë ndihmë për Kosovën duke ofruar vaksinim për stafin shëndetësor.
Megjithatë, në një përgjigje për koha.net, Zemaj s’ka pranuar të flasë nëse do të marrin vaksinat e premtuara nga Shqipëria. Ka thënë se Kosova tashmë ka plan të hartuar si do të zhvillohet vaksinimi, edhe pse ende asnjë vaksinë anti-COVID s’është në Kosovë.
“Prioritet është vaksinimi i kuadrit shëndetësor, kur dihet përkushtimi i tyre dhe vdekja e mjekëve dhe infermierëve duke trajtuar virusin. Ne kemi plan të hartuar si do të zhvillohet vaksinimi, prioritet janë kuadri shëndetësor”, ka deklaruar Zemaj, i pyetur nëse do e dërgojnë stafin shëndetësor për t’u vaksinuar në Shqipëri, pas thirrjes së Edi Ramës.
Kosova është ndër pak shtetet që kanë mbetur pa vaksina edhe pse autoritetet kishin thënë se një gjë e tillë do të ndodhte në shkurt. Premtimet e tyre tash janë se vaksinat do të vijnë në fund të marsit. Të parat vaksina pritet të jenë nga programi COVAX.