Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në vazhdën e takimeve që po iu bënë Klinikave në QKUK, vizitoi Klinikën e Radiologjisë, raporton Ekonomia Online.
Zemaj, i shoqëruar nga u.d i drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, pa nga afër kapacitetet që i ofron kjo klinikë.
“Erdha për së afërmi t’i takoj drejtorët e klinikave, por t’i shohim edhe në rrafshin operativ klinikat tjera”.
“Për mua të gjitha janë të rëndësishme, jemi në përgatitje të vitit të ri kalendarik dhe do t’i shohim nevojat buxhetore që ndërlidhet me avancimin e shërbimeve shëndetësore në situatë akoma emergjente dhe do t’i rikthejmë shërbimet tjera që qytetarët tanë të mos i vuajnë qoftë e neglizhencës, qoftë papërgjegjësie të ndonjë klinike, që do të kërkojë raporte të detajuara”.
Këto vizita, Zemaj nuk i konsideron si presion, teksa tha se nuk do ta shkarkojë asnjë drejtor, por që do të kërkojë llogari.
“Asnjëherë ne nuk shkojmë në logjikën e shkarkimeve por rifreskimi, kryerja e punëve me nder dhe etikë profesionale është primare për mua si ministër”.
Zemaj foli edhe për vonesat e shtesave që ende nuk i kanë marrë punëtorët shëndetësor, raporton EO.
“Ju e dini se me ligjin për paga kemi kaluar në një nivel tjetër të kësaj problematike, bashkërisht me drejtorin por edhe me të tjerët jemi të angazhuar maksimalisht që në kuadër të buxhetit, të shohin një ndihmesë për të gjithë punëtorët shëndetësor në Kosovë”, tha Zemaj.