Kosova duhet të fitojë dy ndeshje në mars për të siguruar pjesëmarrjen në kampionatin evropian të vitit të ardhshëm.
Fillimisht përfaqësuesja e Kosovës në futboll më 26 mars duhet të fitojë në udhëtim ndaj Maqedonisë Veriore e më 31 mars, prapë në udhëtim, të mposhtë Gjeorgjinë apo Bjellorusinë, shkruan sot “Koha Ditore”. Sipas yllit të Kosovës, Arbër Zeneli, Kosova është para rastit më të madh që do të ketë ndonjëherë për t’u kualifikuar në kampionat evropian.
Zeneli pritet të jetë i gatshëm për ndeshjet e plejofit të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Ai është lënduar më 7 qershor në ndeshjen e Kosovës me Malin e Zi dhe nuk ka luajtur prej atëherë. Por pritet t’i kthehet fushës së blertë para marsit. Në një intervistë për sajtin suedez “fotbollskanalen.se”, 24-vjeçari ka thënë se Kosova është e gatshme për të garuar në skenën e madhe.
“Kemi mundësi shumë të mirë për t’u kualifikuar. Kemi ekip të mirë, por kemi pasur fat të keq, lëndime e gjëra të tilla. Kur të gjithë të kthehen, mendoj se mund të garojmë me ekipe të mëdha. Për shembull, kemi luajtur 2:2 ndaj Danimarkës në miqësore. Danimarka ka luajtur me lojtarët më të mirë, pos Christian Eriksenit që u aktivizua në pjesën e dytë. Danimarka shënoi pas dy gabimeve tona, por kemi dominuar ndaj saj. Kemi mundësi shumë të mirë për kualifikim në kampionat evropian. Është shansi më i madh që do të kemi ndonjëherë. Ne vërtet duhet të jemi të përgatitur për ato ndeshje dhe ta dërgojmë Kosovën në Evropian. Do të ishte historike”, ka thënë Zeneli.