Arbër Zeneli ka marrë vëmendjen e mediave pas paraqitjeve shumë të mira te klubi i tij i ri, Reims.
Në janar Zeneli ishte transferuar te klubi francez nga Heerenveeni dhe në 10 paraqitje ka arritur të shënojë 2 gola e 3 asistime, transmeton Koha.net.
E formës së tij të mirë ia ka kushtuar një artikull AFP-ja që e ka titulluar “Zeneli, kosovari që ka pushtuar Reimsin”.
“Me dy gola e 3 asistime në 10 ndeshje me Stade de Reims, kosovari Arbër Zeneli ka dëshmuar se është një nga blerjet më të mira të afatit kalimtar të janarit në Ligue 1”, shkruan AFP.
Tutje në artikull thuhet se, “tregimi i Arbër Zenelit është shkruar ndërmjet dy vendeve, Suedisë, ku kishte lindur dhe Kosovës së prindërve të tij. Ai kishte filluar karrierën në shtetin skandinav në moshën 19 vjeçare te klubi Elfsborg. Anders Svensson, kapiteni i kombëtares suedeze, që kishte thënë për bashkëlojtarin e tij të ri se ‘ai ishte një nga talentët më të mëdhenj që ka parë’”.
Zeneli shumë shpejta arriti të dëshmonte fjalët e Svenssonit, duke fituar kampionatin Evropian me U21 më kombëtaren e Suedisë. Por, pas këtij momenti ëndrra e tij hasi në vështirësi.
“Pas titullit, nuk isha më titullar, përkundër që në klub luaja rregullisht”, kujton Zeneli. “Nuk ndjehesha se isha në planet e kombëtares, e kjo më zhgënjeu”.
Por, më 2016 ai u kontaktua nga Kosova, e sapo anëtarësuar në UEFA dhe FIFA, dhe lojtari vendosi të përfaqësonte vendin e prindërve të tij. Ku 25 vite më parë ata ishin larguar nga lufta në Kosovë për t’u vendosur në Suedi.
“Shumë kosovar duhej të largoheshin nga vendi i tyre”, thotë Zeneli. “Kur kam zgjedhur Kosovën unë kam zgjedhur me zemër. U ndjeva i lumtur, por gjithashtu më kujtoi sprovat nëpër të cilat familja ime po kalonte. Përkundër që nuk kam lindur atje, Kosova është në gjakun tim dhe dua të jap çdo gjë për vendin tim”.
E që nga atëherë, Zeneli nuk i lënë punët në gjysmë. Pas një fillimi të komplikuar, Kosova arriti të ngjitej në vendin e parë në grup në Ligën e Kombeve, duke kaluar në Grupin C, pas fitores së fundit ndaj Azerbajxhanit (4-0). Dhe kjo falë ‘hat-trickut’ të parë nga anësori Zeneli, që ishte i pari në karrierë për të.
E në mars, ai shënoi edhe në ndeshjen e parë të kualifikimeve për Euro 2020, në barazimin prej 1 me 1 ndaj Bullgarisë.
“Shpërthimi”
Paralelisht, anësori kosovar pati një arritje të madhe në dimër duke u bashkuar me Stade de Reims pas tre sezone e gjysmë te klubi holandez Heerenveen.
“Arbëri shpejt bëri paraqitje të jashtëzakonshme dhe vendimtare. Gjithnjë ai është provokues, përshpejtues, dhe shpërthyes”, ishte shprehur trajneri i tij David Guion. “Ai është djalosh që është shumë i përfshirë në klub dhe te kombëtarja e tij dhe ka një energji të lartë në lojë. Me të gjitha gjërat që ka përjetuar këtë vit, është e kuptueshme që është tani pak më tepër i njohur”.
Zeneli ka konfirmuar dëshirën e tij për të luajtur për ndonjë klub më të madh e nivel më të lartë, megjithatë thotë se është shumë i lumtur që është pjesë e Reimsit.