Zëvendëskryeministri Bislimi mori pjesë në panelin e diskutimit “Ballkani Perëndimor dhe Zgjerimi i BE-së 2030 – Ëndërr apo Realitet?”

Prishtinë | 15 Mar 2024 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Në ditën e dytë të qëndrimit në Athinë, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në panelin e diskutimit “Ballkani Perëndimor dhe Zgjerimi i BE-së 2030- Ëndërr apo Realitet?”, së bashku me homologë nga rajoni e poashtu dhe përfaqësues nga Sllovenia, Sekretari i Shtetit për çështje Evropiane, Marko Stucin dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Greqisë, Alexandra Papadopolou.

Në fjalën e tij, teksa nënvizoi rëndësinë gjeostrategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor si dhe rëndësinë e zgjerimit, ai tha se me procesin e liberalizimit të vizave tashmë të kompletuar e të arritur, Kosova vijon punën në trajektoret e tjera po aq të rëndësishme për vendin, dhe veçanërisht rrugën drejt Bashkimit Evropian. Shtoi se Republika e Kosovës ka shfaqur maturi e përgatitje në këtë proces, duke analizuar dhe sektorët e fushat përmes së cilave edhe më së shumti dëshmojmë që jemi gati, kemi avancuar e shënuar progres të shpejtë dhe meritojmë hapa konkretë tutje.

Më pas, i pyetur se sa është reale mundësia e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030, zëvendëskryeministri theksoi se duhet të ketë një proces të standardizuar të vlerësimit për të gjithë rajonin, në lidhje me zbatimin e reformave dhe rrugën përpara drejt BE-së. Duke theksuar se në rastin e Kosovës, sfidat që shfaqen janë më shumë të jashtme sesa që burojnë nga brenda vendit, ai nënvizoi se vendi ynë vijon të mbetet i përkushtuar në zbatimin e reformave dhe arritjen e standardeve evropiane.

Kjo ngjarje u organizua nga Eliamep, në bashkëpunim me Forumin Strategjik të Bledit. Pas panelit të diskutimit, u organizua një pritje në margjina të eventit, e ku me ftesë nga ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Georgios Gerapetritis, zëvendëskryeministri Bislimi mori pjesë bashkë dhe me personalitetet e tjera nga ngjarja dhe paneli.

Të ngjashme