Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, së bashku me kabinetin, drejtorin e Shërbimit Korrektues dhe Shërbimit Sprovues të Kosovës, sot ka pritur në takim një delegacion nga Mbretëria e Suedisë që është kryesuar nga ekspertja ndërkombëtare, Eva Parry.
Në këtë takim është diskutuar rreth hapave të Ministrisë së Drejtësisë dhe Mbretërisë së Suedisë, lidhur me realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me Shërbimin Korrektues dhe Shërbimin Sprovues të Kosovës si dhe dhunën në familje.
Sallahu tha në proilin zyrtar në Facebook se qëllimi i projektit të përbashkët është ngritja e kapaciteteve të shërbimit korrektues.
“Qëllimi i projekteve të përbashkëta mes Kosovës dhe Suedisë është ngritja e kapaciteteve infrastrukturore dhe profesionale për Shërbimin Korrektues dhe Shërbimin Sprovues të Kosovës, si dhe ofrimin e programeve për trajtimin e kryerësve të dhunës në familje”, tha zëvendësministri Sallahu gjatë këtij takimi.
Ai po ashtu u zotua që Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë diskutimet si dhe do të thellojë bashkëpunimin me shtetin e Suedisë për mbështetejtjen edhe në fusha të tjera.