Gjermania dhe vende të tjera europiane mund t’i vazhdojnë kontrollet në kufijtë e tyre. Me këtë synohet të pengohet kalimi i pakontrolluar i migrantëve përmes Europës. Por kjo nuk u pëlqen Hungarisë dhe Greqisë.
BE-ja e ka hapur rrugën për shtyrjen e afatit të kontrolleve kufitare në hapësirën Shengen. Në emër të shteteve të BE-së ministrat e tregtisë të vendeve anëtare vendosën në Bruksel, që kontrollet në kufi të zgjaten edhe për tre muaj duke nisur nga 15 nëntori.
Gjermania, Austria, Danimarka, Suedia dhe vendi jo anëtar i BE-së Norvegjia aplikuan kontrollet në kufi në sfondin e valës së refugjatëve vitin e kaluar. Me këtë synohet të pengohet kalimi i pakontrolluar i migrantëve përmes Europës.
Në fakt liria e lëvizjes është në fuqi
Midis 26 vendeve anëtare në zonën Shengen, ku bëjnë pjesë shumica e vendeve të BE-së, është në fuqi liria e lëvizjes. Kontrollet janë të mundura vetëm në raste përjashtimi.
Ministri suedez i Punëve të Brendshme, Anders Ygeman tha, se “rreziqet për sigurinë tonë, që ekzistonin në kohën kur ne e morëm për herë të parë këtë vendim, ende ekzistojnë.” Suedia pas dekadash të një politike liberale emigracioni vitin e kaluar bëri një kthesë, duke i mbyllur kufijtë e saj dhe duke i hapur rrugën ashpërsimit të ligjit të azilit.
Kufijtë e jashtëm duhet të sigurohen
Gjermania në shtator 2015 vendosi kontrollet në kufirin gjermano-austriak dhe e ka shtyrë disa herë afatin e mbajtjes në fuqi të kësaj rregulloreje. Kjo argumentohet në Berlin, se kufijtë e jashtëm pa kontrolle kufitare në hapësirën Shengen në fakt nuk kontrollohen ashtu siç do të dëshirohej.
Ministri i Brendshëm Thomas de Maizière e përshëndeti lejen e BE-së, për shtyrjen e afatit të kontrolleve në kufi për shkak të krizës së refugjatëve. Ky është “një hap i drejtë dhe i rëndësishëm për sigurinë në Europë” dhe për qytetarët në Gjermani, deklaroi de Maizière në Berlin.
Hungaria paralajmëron për kolaps të sistemit
Nga disa vende ka rezistencë në këtë drejtim. Meqënëse numri i migrantëve është ulur ndjeshëm, disa vende mendojnë se janë të tepërta kontrollet e mëtejshme kufitare. Greqia votoi kundër këtij vendimi në Bruksel, ndërsa Hungaria, Bullgaria dhe Qiproja abstenuan.
Greqia deklaroi me shkrim, se ndërkohë kufijtë e saj janë kaq mirë të siguruar, sa nuk ka më asnjë rrezik, që migrantët të vazhdojnë rrugën nga Greqia drejt vendeve të tjera të BE-së. Ndërsa Hungaria paralajmëroi, se shtyrja e kontrolleve mund të çojë “në kolaps të sistemit Shengen”. Në vend të kontrollit të kufijve në Europë duhet të ketë prioritet sigurimi i kufijve të jashtëm të BE-së. (DW)