Temperaturat e larta që vijojnë të jenë prezente në vendin tonë po ndikojnë pozitivisht në industrinë e turizmit. Koha me diell dhe temperaturat optimale pritet të zgjasin për të paktën edhe një muaj sezonin turistik veror.
Operatorët turistikë shprehen se pavarësisht se në datën një shtator duhet të mbyllet zyrtarisht sezoni, ka prenotime të shumta nga pushuesit e huaj të paktën deri në fund të këtij muaji.
Kryetari i shoqatës së hoteleri-turizmit për degën e Durrësit, Eduart Xhepa shprehet se pushuesit nga Evropa perëndimore dhe ajo lindore vijojnë prenotimet në hotelet e bregdetit të Durrësit.
Duke i bërë një analizë sezonit turistik, Xhepa shprehet se krahas problematikave, operatorët ndihen të kënaqur pasi konsiderohet një sezon i suksesshëm për faktin se Shqipëria është vizituar masivisht nga pushues nga vende të ndryshme të botës.
Objektivi i operatorëve turistikë është që Shqipëria të mos ofrojë vetëm turizëm sezonal gjatë muajve të verës, por në të gjithë periudhën e vitit; në verë duke shfrytëzuar bregdetin, ndërsa në dimër turizmin malor.