Është djegur edhe raundi i dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri, pasi ende nuk ka ardhur asnjë emër konkret për këtë post.
Komisioni i Ligjeve u mblodh sot për të verifikuar nëse kishte ardhur ndonjë emër për kandidat për President.
Gjatë mbledhjes kryetarja e komisionit, Vasilika Hysi, tha se nuk ka pasur asnjë emër të mbështetur nga 20 deputetë. Seanca e Kuvendit ka dështuar edhe në raundin e dytë për zgjedhjen e Presidentit. Ndërkohë raundi i tretë sipas Kushtetutës duhet të zhvillohet brenda një jave dhe për zgjedhjen e Presidentit duhet të votojnë 84 deputetë pro.
Kjo seancë e dytë vjen pak orë pas të parës dhe dy raundet janë djegur nga mazhoranca, që nuk ka propozuar asnjë kandidat. Sipas deputetit Ben Blushi, drejtuesit e koalicionit kanë ndërmend t’i djegin të gjithë raundet pa propozuar asnjë kandidat për deputet për të rihapur proçedurat e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo do t’i jepte hapësira ligjore për t’u regjistruar si koalicion dhe për të dalë bashkë në zgjedhje.