Zgjedhje në Bosnje dhe Hercegovinë

Prishtinë | 07 Tet 2018 | 10:20 | Nga Ekonomia Online

Qytetarët në Bosnje dhe Hercegovinë votojnë sot në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat vijnë pas një fushate zgjedhore, kryesisht të fokusuar në ndarjet e thella etnike dhe jo në adresimin e problemeve ekonomike dhe korrupsionin në këtë vend të Ballkanit.

Qytetarët me të drejtë vote do të zgjedhin sot liderët e presidencës tri-palëshe, si dhe përfaqësuesit në parlament dhe kuvendet e kantoneve.

Vendvotimet u hapën në ora 7:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00. Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 3,3 milionë qytetarë.

Votimi në zgjedhje ka rritur tensionet në mes të myslimanëve boshnjakë dhe zyrtarëve serbë të Bosnjës, të cilët kanë pasur marrëdhënie të tensionuara që prej marrëveshjes së paqes të arritur në Dejton më 1995, ku u krijua Republika Serbe e dominuar nga serbët dhe dy shtetet përbërëse brenda Bosnjës.

“Fatkeqësisht, partitë janë ende duke tentuar që të fitojnë vota bazuar në frikë, kërcënime të luftës dhe duke u thirrur në tema të së kaluarës, në vend se të ofrojnë plane për të ardhmen”, thotë Josip Juratoviq, anëtar i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që monitorojnë zgjedhjet në Bosnje.

Zgjedhjet në Bosnje vijnë në kohën kur vendi është në një udhëkryq: ose Bosnja do të ndjekë rrugën e saj për të thelluar lidhjet euro-atlantike, ose rivalitetet e saj etnike do të pengojnë përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimin në NATO.

Edhe pse lufta në Bosnje ka përfunduar më 1995, plagët e konfliktit trevjeçar – që mori jetën e rreth 100 mijë personave dhe rreth 2 milionë të tjerë u detyruan të zhvendosen – ende nuk janë shëruar.

Bosnja është e përbërë nga entiteti serb, entiteti i myslimanëve dhe kroatëve.

Votuesit sot do të zgjedhin tre anëtarët e presidencës, presidentin e entitetit të serbëve të Bosnjës, deputetët në të gjitha nivelet dhe zyrtarët e kantoneve.

Sipas Transparency International, fushata zgjedhore ka qenë e ashpër dhe është karakterizuar me retorikë ndarëse.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme