Zgjedhjet në Peru: Castillo fiton me rezultat të ngushtë, rivalja Fujimori e akuzon për vjedhje votash

Prishtinë | 08 Qer 2021 | 10:08 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i majtë Pedro Castillo mori një epërsi të vogël në balotazhin polarizues presidencial të Perusë të hënën, por rivalja e tij e krahut të djathtë Keiko Fujimori refuzoi të pranonte, duke pretenduar mashtrim.

Sipas numërimit zyrtar, ish mësuesi 51 vjeçar ka marrë 50.29% të votave dhe Fujimori, 46, ka 49.71%, me rreth 96% të fletëve të votimit të numëruara, transmeton Klan Kosova.

Castillo ishte mbrapa gjatë numërimit të votave, megjithatë, një rritje e vonë e votave nga zonat rurale e shtyu atë të kalonte Fujimorin, e cila pretendon kurdisje.

Në një konferencë shtypi të organizuar të hënën në mbrëmje menjëherë pasi Castillo mori drejtimin, Fujimori akuzoi mbështetësit e tij për vjedhje votash dhe kryerje të mashtrimeve zgjedhore.

“Ka një qëllim të qartë për të bojkotuar vullnetin e njerëzve. Ne kemi vërejtur se ka pasur një strategji për të shtrembëruar ose vonuar rezultatet që pasqyrojnë vullnetin popullor”, tha Fujimori pa siguruar ndonjë provë përfundimtare.

Ajo gjithashtu u bëri thirrje mbështetësve të saj të publikojnë dëshmi të reja në mediet sociale nëse ato ekzistojnë.

Partia e Lirë e Perusë, e cila drejtohet nga Castillo, ka hedhur poshtë këto akuza dhe u ka bërë thirrje autoriteteve zgjedhore të mbrojnë votën ndërsa numërohen fletët e votimit.

Ekspertët thonë se duhen disa ditë para se të shpallet rezultati zyrtar i zgjedhjeve.

Asnjë kandidat nuk pritet të pranojë humbjen para se të fillojë numërimi përfundimtar.

Fituesi do të përballet me sfida të mëdha ndërsa Peru përballet me një ekonomi të dobët dhe pandeminë.

Castillo është zotuar të ndryshojë kushtetutën e Perusë, e cila u miratua nën udhëheqjen e babait të Fujimorit, ish presidentit të burgosur Alberto Fujimori. Castillo ka thënë se të drejtat e njeriut duhet të jenë një përparësi.

Partia e Forcës Popullore të krahut të djathtë të Fujimori favorizohet nga bota e biznesit dhe klasave të mesme të Perusë. Ajo doli e dyta në zgjedhjet presidenciale të Perusë më 2011 dhe 2016.

Të ngjashme