Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar sërish, pasi palët nuk po pajtohen për temën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Takimi i fundit në nivel liderësh në Bruksel është mbajtur më 7 shtator, 3 ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit. E fakti se kush do të jetë në udhëheqje të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, po shihet si përcaktues edhe për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Engjellushe Morina, eksperte në organizatën Këshilli Evropian për Politikë të Jashtme (ECFR), me seli në Berlin, vlerëson se dialogu nuk do të vazhdojë deri në qartësimin e asaj se kush do të fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA.
“Nuk besoj se do të ketë lëvizje në këtë proces, deri diku kah mesi i nëntorit më së hershmi”, tha Morina për Radion Evropa e Lirë.
“Kjo varet shumë nga rezultati i zgjedhjeve në SHBA dhe ky rezultat do ta ketë rolin e vet në dinamikën e procesit dialogues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi së fundmi SHBA-ja ndërmori edhe një iniciativë për normalizimin e marrëdhënieve prej këndit ekonomik”, shtoi ajo.
Në Prishtinë ndërkaq, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) nuk pret që rifillimi i dialogut të varet tërësisht nga zgjedhjet në SHBA. Sidoqoftë, ajo e sheh të pashmangshëm koordinimin e plotë SHBA-BE për arritjen e marrëveshjes finale.
“Tani dialogu Kosovë-Serbi është në tryezën e BE-së dhe duhet të shihet se si mund të zhbllokohet për të ecur përpara. Por, një marrëveshje finale duhet të ketë edhe mbështetjen e SHBA-së dhe pritet të kemi një pjesëmarrje të SHBA-së, pasi pa pjesëmarrjen e saj nuk do të kemi një marrëveshje që do të arrijë te njohja reciproke, anëtarësimi i Kosovës në OKB (Organizata e Kombeve të Bashkuara) dhe të gjitha ato të tjerat që ne i kërkojmë nga ky proces”, vlerësoi Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Por, ajo pret që BE-ja do të dalë me një plan për të zhbllokuar dialogun dhe për ta shtyrë përpara atë.
A ka rezultate nga marrëveshja e Uashingtonit për dialogun aktual?
Liderët e Kosovës dhe Serbisë, në shtator, nënshkruan në Uashington marrëveshje për normalizim ekonomik. Engjellushe Morina thotë se shumëkush nuk e cilëson marrëveshje atë që u nënshkrua më 4 shtator, por si nënshkrim të dy dokumenteve të veçanta. Prandaj, ajo nuk është e bindur se ‘nënshkrimet e Uashingtonit’ do të sjellin rezultat, pasi sipas saj, aty nuk u trajtuan çështjet kryesore.
“Është vështirë që të besohet (koha do ta tregojë) se shtytjet ekonomike i përmirësojnë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ka çështje shumë të rëndësishme për të dyja palët dhe veçmas për palën kosovare dhe ato nuk janë ekonomike”, tha Morina.
“Mungesa e kohezionit politik po e dëmton Kosovën“
Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti është në minimum të shumicës parlamentare dhe po përballet me një opozitë të fortë, e cila nuk po e mbështet në dialog.
Analistet thonë se Kosova duhet të ketë kohezion politik, për të arritur synimet e saj.
“Ajo çka duhet të ndryshojë është gjetja e një kohezioni politik, edhe në Kosovë edhe në Serbi, që të ketë një ide se çka janë pritjet e palëve në dialog dhe të sqarohen principet kryesore të dialogut”, tha Engjellushe Morina nga ECFR-ja.
Jeta Krasniqi vlerëson se Serbia po e shfrytëzon këtë mungesë të kohezionit politik, pasi edhe vet BE-ja nuk e ka artikuluar qartë qëndrimin se procesi duhet të sjellë njohjen reciproke.
“Meqë nuk dihet se cili është epilogu dhe pozicionimi i Kosovës, duket se Serbia po shfrytëzon këtë çështje, duke vënë fajin te Kosova si penguese e dialogut. Kosova duhet ta bëjë të qartë se është për dialog, por jo me kushtin që të prishet sistemi unitar i Republikës dhe që të dalë si shtet jofunksional”, tha Krasniqi.
Dialogu në udhëkryq
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Mirosllav Lajçak në vizitat e fundit në Prishtinë e Beograd (13-15 tetor) nuk iu referua ‘bllokimit të dialogut’, porse kërkoi nga të dyja palët që t’i përmbahen zotimeve.
Lajçak kërkoi nga Kosova që të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Për këtë temë, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje fillimisht më 2013, në kuadër të Marrëveshjes së parë të Brukselit.
Po ashtu, më 2015, palët nënshkruan marrëveshje shtesë për parimet e themelimit të Asociacionit. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Ndërkohë, më herët, Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e fundit vjeshtor kishte sugjeruar që Bashkimi Evropian të shikojë mundësinë që në platformën dialoguese Kosovë-Serbi, ta përcaktojë se marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë. Kjo organizatë e pavarur, që analizon konfliktet në botë, megjithatë ka parashikuar se zgjidhja finale do të përfshijë koncesione të mëdha, duke përfshirë autonomi të gjerë për komunat serbe apo shkëmbim të territoreve.
Njëri nga hartuesit e këtij raporti, Giuseppe Famà, udhëheqës i Çështjeve Evropiane në këtë organizatë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se BE-ja nuk duhet të imponojë kufizime në dialog dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë rol në bindjen e Kosovës që të ridizajnojë platformën dialoguese. Sipas tij, nëse Kosova pajtohet për autonomi të gjerë për komunat me shumicë serbe, e njëjta duhet të vlejë edhe për Luginën e Preshevës në Serbi.