Rreth gjysmë milioni euro ka ndarë Qeveria e Kosovës për zgjedhjet në veri të vendit, por kjo shumë e mjeteve buxhetore mund të shkojë kot për shkak se ish-kryetarët e komunave veriore, të cilët garojnë përsëri në zgjedhjet e 19 majit, kanë paralajmëruar dorëheqjen në rast se përsëri e marrin mandatin për udhëheqjen e këtyre komunave.
Dorëheqjet e ish-kryetarëve të komunave serbe erdhën si pasojë e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, që u vendos nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.
Përfaqësues të partive opozitare në vend kanë theksuar se Qeveria do të duhej të merrte masa për të parandaluar një përsëritje të bllokimit të situatës në veri të vendit, teksa kanë shtuar se nuk duhen lejuar veprime të tilla politike.
I pyetur për këtë çështje shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë për “Zërin” se Qeveria do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim që kandidatët, të cilët dalin fitues nga këto zgjedhje, t’i respektojnë ligjet dhe shtetin e Kosovës.
“Është obligim i institucioneve të shtetit që të garantojnë zgjedhje të lira dhe demokratike. Ne presim që atje të ketë zgjedhje të qeta, të zgjidhen të duhurit dhe t’i respektojnë institucionet e Kosovës. Përndryshe nuk duhet lejuar që edhe më tutje të marrin paga nga buxheti i Kosovës dhe të bëhen vegël e një politike të huaj siç është Beogradi”, ka thënë Isufi.
Për të arritur këtë Isufi ka thënë se Qeveria do t’i ndërmarrë gjitha masat që të respektohet Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.