Zgjedhjet presidenciale serbe po mbahen edhe në Kosovë

Prishtinë | 02 Pri 2017 | 11:15 | Nga

Zyrtarët e misionit të OSBE-së në Kosovë kanë konfirmuar se të gjitha qendrat për grumbullimin e votave për zgjedhjet presidenciale të Serbisë, janë hapur me kohë dhe pa probleme.

OSBE ka thënë për REL se në Kosovë janë hapur në 20 lokacione – 4 qendra dhe 16 degë – ku do të zhvillohet procesi votimit. Qendrat për grumbullimin e votave janë hapur në Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Shtërpcë dhe Graçanicë.

Sipas misionit të OSBE-së në Kosovë, deri në orën 10:00, 5.23% e qytetarëve serbë u janë drejtuar qendrave të grumbullimit.

Mbi 6 milionë e gjysmë qytetarë me të drejtë vote në Serbi zgjedhin, të dielën, presidentin e ri nga 11 kandidatë sa janë regjistruar për garën presidenciale. Presidenti serb zgjidhet me votën e drejtpërdrejt të qytetarëve të Serbisë.

Mandati i presidentit aktual serb, Tomislav Nikoliq, përfundon më 31 maj. Zgjedhjet paraprake presidenciale janë mbajtur më 2012 kur Nikoliq fitoi garën përballë kandidatit të demokratëve Boris Tadiq.

Zgjedhjet presidenciale serbe zhvillohen edhe në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë dhe vendimin për lejimin e mbajtjes së tyre e deklaroi një ditë përpara mbajtjes së tyre, kryeministri Isa Mustafa.

Ai tha se “Qeveria e Kosovës ka bërë një marrëveshje me misionin e OSBE-së që qytetarët serbë që kanë dy shtetësi, mund të votojnë edhe në Kosovë, për zgjedhjet presidenciale të Serbisë”.

“Ne e kemi parë të arsyeshme që të vazhdojmë praktikën që e kemi aplikuar këtu dhe në vitet e kaluara, që t’u mundësojmë të votojnë të gjithë qytetarët serbë që i kanë dy shtetësi dhe që ju takon kjo e drejtë në mënyrë që ata të mos maltretohen dhe të shkojnë atje”, tha Mustafa.

Zgjedhjet presidenciale serbe në territorin e Kosovës kanë shkaktuar tensione në mesin e shqiptarëve të cilët nga mesi i javës kanë bllokuar rrugët në, siç kanë thënë, kundërshtim të mbajtjes së zgjedhjeve.

Bllokada shkaktoi valën e reagimeve nga BE-ja që kërkoi nga autoritetet në Prishtinë të lirojnë rrugët dhe të mundësojnë fushatën zgjedhore për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në zgjedhje. Reagoi edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që e cilësoi bllokadën e rrugëve “bllokim të Kosovës drejt Evropës”.

Por, autoritetet e sigurisë në Kosovë thanë, pa përmendur procesin e votimit, se gjendja e sigurisë në vend është e qetë.

Daut Hoxha zëdhënës i policisë i tha Radios Evropa e Lirë se deri me tash policia nuk ka pranuar ndonjë informatë për ndonjë incident.

“Duke pas para sysh zhvillimin e këtyre aktiviteteve ne jemi në dispozicion të zbatimit të ligjit dhe aty ku parashtrohen kërkesat për nevojat e shërbimeve policore apo të ndërhyrjes se ndonjë situate e cila mund të kërkojë vendosjen e rendit apo sigurisë publike, ne jemi në funksion të zbatimit të ligjit dhe natyrisht që situatën e kemi në kontroll në çdo lokacion në terë territorin e Republikë së Kosovës”, tha Hoxha.

Të ngjashme