Zgjedhjet lokale të së dielës vlerësohen si testi më i rëndësishëm për proceset demokratike në Maqedoni, pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar dhe formimit të Qeverisë së re, katër muaj më vonë, me çka edhe u mbyll kriza e gjatë politike në vend.
Mbarëvajtja e procesit zgjedhor, sipas njohësve të çështjeve politike, në radhë të parë shihet si barometër nëse institucionet janë konsoliduar pas krizës së rëndë për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë, para por edhe gjatë fushatës zgjedhore kanë qenë të qartë në thirrjet e tyre, se zgjedhjet e 15 tetorit duhet të jenë shumë më të mira se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në dhjetor.
“Maqedonisë, si asnjëherë më parë i duhen zgjedhje të atilla që do të dëshmonin se Maqedonia është e gatshme të jetë kandidate për anëtarësim, të nisë bisedimet, të bëhet anëtare e NATO-s e kështu me radhë. Pra, as që duhet të mendojmë, e lëre më të ndodhin parregullsi në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili duhet të jetë në përputhje të plotë me të gjitha kërkesat dhe rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare”.
“Këtë duhet ta mundësojnë KSHZ-ja, MPB-ja, por edhe çdo shtetas, që të dëshmojmë se jemi të përcaktuar në rrugën tonë për në familjen e shteteve me demokraci të zhvilluar”, thotë Nikolla Dujoski, profesor i sistemit politik në Fakultetin e Drejtësisë në Shkup.
Zgjedhjet lokale më 15 tetor do të zhvillohen në 80 komuna dhe Shkupin, si njësi e veçantë e pushtetit lokal me dhjetë komuna brenda tij, por me kompetenca të kufizuara. Në garë për drejtimin e këtyre komunave janë 19 parti politike dhe koalicione të ndryshme përfshirë edhe kandidatët e pavarur.
Gara kryesore zhvillohet ndërmjet dy blloqeve politike, dy partive maqedonase, LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së opozitare nga njëra anë, dhe bllokut tjetër shqiptar, BDI-së dhe partive tjera si Lëvizjes Besa, PDSH-së por edhe Aleancës për Shqiptarët, e cila edhe pse është në qeveri synon të sfidojë në këto zgjedhje partnerin e saj qeverisës, BDI-në.
Analisti Albert Musliu thotë se zgjedhjet lokale gjithashtu shihen si testi për popullaritetin e partive politike për shkak të rezultatit të ngushtë mes tyre në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit.
“Për dy subjektet më të mëdha politike ky proces zgjedhor ka një rëndësi të veçantë. Për partinë në pushtet, LSDM, do të jetë një rikonfirmim për orientimin e tyre reformues, apo vazhdimit të reformave, ndërsa për VMRO-në opozitare rëndësia e këtij procesi do të jetë ajo e nisjes së reformave të brendshme nëse humbin zgjedhjet apo e vazhdimit të politikës së deritashme kundërshtuese nëse arrijnë rezultat pozitiv”, vlerëson Musliu.
Ai shton se blloku shqiptar partitë e reja do të tentojnë të ruajnë apo edhe të rrisin rezultatin kundrejt dy partive më të vjetra e të cilat nga ana tjetër do të tentojnë të rikthejnë elektoratin e humbur.
Sa i përket fushatës elektorale, ai thotë se ajo ka qenë më korrekte para se gjithash tek partitë shqiptare të cilat për herë të parë kanë dalë me oferta dhe programe duke mbajtur llogari mbi mënyrën e realizimit të tyre.
“Unë mendoj se skena politike shqiptare ka qenë më korrekte, së paku në nivelin e premtimeve, ka pasur më shumë debate, qytetarët kanë qenë më syçelë, kandidatët nuk janë lejuar të bëjnë premtime të kota pasi ata janë pyetur direkt nga qytetarët se nga se si dhe prej nga do të realizojnë premtimet e bëra”, thotë Musliu.
Të drejtë vote në zgjedhjet e së dielës kanë rreth 1.8 milion qytetarë, ndërsa procesi zgjedhor do të mbikëqyret nga rreth 5 mijë vëzhgues vendor dhe rreth 400 të huaj.