Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se kanë zgjeruar mbështetjen financiare në vlerë prej 1000 euro në vit, për studentet vajza/gra që studiojnë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës.
Nagavci ka njoftuar se po ashtu kanë zgjatur afatin për aplikim në këtë thirrje deri më datën 31.10.2021 në ora 16:00.
“Zgjerohet mbështetja financiare në vlerë prej 1000 euro në vit, për studentet vajza/gra në fushat STEM. Sot kam nënshkruar vendimin për zgjerimin e mbështetjes financiare për studentet vajza/gra që studiojnë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM) edhe për vitin e dytë dhe tretë.Me këtë rast, kemi zgjatur afatin për aplikim në këtë thirrje deri më datën 31.10.2021 në ora 16:00″, ka njoftuar Nagavci.
Tutje, ajo ka shkruar se thirrja për studentet vajza/gra që studiojnë në fushat STEM në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë, tani përfshinë të gjitha vajzat /gratë nga viti i parë deri në të tretin sipas aneks-listës së programeve të publikuara në vendim”.
“Njëkohësisht duke u mbështetur në kërkesën e parashtruar nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike të UP-së për përfshirjen e programit Komunikacion dhe Transport kemi vendosur për përfshirjen e këtij programi në aneks listën e programeve të përshtatshme për aplikim”, deklaroi ajo.