Zhabari bëhet me Qendër të Mjekësisë Familjare

Prishtinë | 09 Dhj 2016 | 16:20 | Nga

Kryetari i komunës Agim Bahtiri, ka bërë përurimin e Qendra e Mjekësisë Familjare (QKMF), në Zhabar të Mitrovicës. Adaptimi i objektit dhe sigurimi i pajisjeve ka kushtuar buxhetit të komunës rreth 30 000 euro.

Kryetari Bahtiri, tha se përurimi i këtij objekti të ri paraqet një ngjarje të rëndësishme për gjithë banorët e Zhabarit dhe lagjeve përreth.

“Çdo projekt që realizohet, në të mirë të qytetarëve  i çfarëdo natyre qoftë ai, ka rëndësinë e vet, përderisa projektet në fushën e shëndetësisë kanë edhe një simbolikë specifike për Mitrovicën. Unë me këtë rast përgëzoi qytetarët që do të shfrytëzojnë shërbimet shëndetësore në këtë objekt dhe apeloi tek punëtorët shëndetësorë që të jenë në shërbim të tyre, efikas dhe të kryejnë shërbime cilësore”, tha Bahtiri.

Drejtori i QKMF-së, Vllaznim Hoti, tha se hapja e këtij objekti shëndetësorë në këtë mjedis, ka rëndësi të madhe, pasi që ata, që janë të shumtë, nuk do të maltretohen më duke kërkuar shërbime shëndetësore në qendrat tjera.

“I garantoj qytetarët se shërbimet do të jenë efikase, profesionale dhe në nivelin e duhur. Do të kemi në shërbim të qytetarëve në çdo kohë”, tha ai.

Rukije Pllana, kryeinfermiere në QKMF, tha se për banorët e Zhabarit dhe të lagjeve tjera përreth, që do të shfrytëzojnë shërbimet e këtushme, do të ofrohen shërbime të promovimit shëndetësorë, informimit, komunikimit dhe shërbime tjera parandaluese të sëmundjeve. Po ashtu, sipas saj, do të ofrohen edhe shërbime esenciale kurative dhe ndërhyrje të vogla kirurgjike, shërbime të kujdesit akut urgjent, shërbime të kujdesit shëndetësorë për sëmundjet kronike etj.

Ndërsa, përfaqësuesi i fshatit, Ahmet Fejza, falënderoi kryetarin Bahtiri dhe të gjithë ata që kanë kontribuar që kjo QMF të fillojë punën në lagjen e tyre.

“Kemi pas shumë nevojë për këto shërbime. Tani u bë  një punë e mirë, sepse më nuk do të bredhim nëpër qendrat tjera, por shërbimet kryesore do t’i marrim këtu. Shpresojmë se QMF-ja do ët kompletohet me staf adekuat dhe se shërbimet do të jenë cilësore”, tha ndër të tjera ai.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme