Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka takuar sot në një drekë pune përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar. Ky ishte takim lamtumirës për Zhbogarin, i cili këtë muaj e përfundon mandatin e tij në Kosovë duke kaluar në pozitën e shefit të delegacionit të BE-së për Maqedoni.
Ministrja Tahiri shprehu falënderimet e saj dhe të Qeverisë së Kosovës për angazhimet e Zhbogarit si përfaqësues shumë vjeçar i BE-së në Kosovë.
Ajo ka çmuar lartë kontributin e tij për zhvillimin evropian të shtetit të Kosovës duke theksuar se në këtë periudhë Kosova shënoi një përparim historik në integrimin evropian me nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociim me BE-në.
Tahiri po ashtu u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin konstruktiv me Zyrën e BE-së në Kosovë gjatë udhëheqjes së Zhbogarit, duke potencuar se së bashku kanë arritur progres në shtrirjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës në pjesën veriore të vendit dhe normalizimin e gjendjes atje përmes proceseve integruese dhe shuarjes së strukturave paralele, në saje të procesit të dialogut të Brukselit.
Ajo shprehu bindjen se janë në përfundim të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, gjithashtu dhe kontributi i Zhbogarit do të kujtohet me respekt.
Zhbogar shprehu falënderime të veçanta për bashkëpunimin e ngushtë me ministren Tahiri. Ai tha se është shumë i lumtur që ka pasur mundësi të jetë në Kosovë në një kohë të rëndësishme për vendin, dhe se do të marrë me vete kujtime të bukura nga Kosova bashkë me respektin për qytetarët e Kosovës.
Ai shtoi se do të ndjekë me vëmendje zhvillimet pozitive të Kosovës drejt aspiratës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, ndërsa theksoi se Marrëveshjet e Brukselit padyshim që kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e sovranitetit të Kosovës.