Zhvillimet politike e të sigurisë – senatori Jack Reed në Kosovë, takohet me Osmanin

Prishtinë | 08 Gus 2023 | 15:52 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të kongresit të kryesuar nga Senatori Jack Reed, raporton Ekonomia Online. Në këtë takim mediet janë lejuar që të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.

Jack Reed, i cili është kryetari i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke zhvilluar vizitë zyrtare në Ballkanin Perëndimor, ai në Kosovë dhe rajon gjendet për të parë nga afër zhvillimet e sigurisë dhe politikës dhe ndikimin e tyre në sigurinë kombëtare të Amerikës.

Senatori do të takohet me diplomatë dhe përfaqësues ushtarakë amerikanë, si dhe do të zhvillojë bisedime me liderë të huaj të rangut të lartë për të diskutuar marrëdhëniet ShBA-Kosovë, situatën e sigurisë dhe marrëdhëniet dypalëshe të Amerikës me partnerët e tjerë në rajon.

Reed planifikon të takohet me ushtarët e Rhode Island në terren për t’i falënderuar ata për shërbimin e tyre në mbështetje të misionit paqeruajtës ndërkombëtar të NATO-s, KFOR. Ky do të jetë udhëtimi i tretë i senatorit Reed në Kosovë.

Pos Kosovës, Reed do të jetë edhe në vende të tjera të rajonit. Ai do të ndalojë gjithashtu në Komandën Evropiane të SHBA-së dhe në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë për t’u takuar me udhëheqësit ushtarakë dhe për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjet ndërkombëtare për të pajisur dhe trajnuar njësitë ushtarake të guximshme ukrainase ndërsa luftojnë për të mbrojtur sovranitetin e tyre.

Ai do të shqyrtojë gjithashtu programet e bashkëpunimit të sigurisë së SHBA-së me partnerët dhe aleatët në të gjithë Evropën dhe përpjekjet e vazhdueshme të NATO-s për t’iu përgjigjur ndryshimeve drastike në peizazhin e sigurisë evropiane.

Në çdo ndalesë të udhëtimit, senatori Reed planifikon të bëjë të qartë mbështetjen e Amerikës për demokracinë, diplomacinë, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe përpjekjet kundër korrupsionit.

Të ngjashme