Zhvillimet politike po e dëmtojnë ekonominë

Prishtinë | 15 Maj 2017 | 11:08 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ekonomia e Kosovës përballet me probleme ekonomike për shkak të zhvillimeve politike. Andaj rritja ekonomike më e larta në rajon ende mbetet jo-transformuese.

Kështu u tha në konferencën e IV-të ndërkombëtare me temë “Aktivizimi i Burimeve të Rritjes Ekonomike”, e cila mbahet për nder të shënimit të 22 vjetorit të Institutit Riinvest, raporton Ekonomia Online.

Përgjatë konferencës u prezantuan raporti “Ambienti Biznesor në Kosovë 2016”, si dhe “Buletini Makroekonomik 1/2017”, raport ky i realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave.

Gjithashtu u tha se rekomandimet të cilat do të dalin nga kjo konferencë, mund të përdoren nga qeveria e re, e cila do të vijë. Synimi i saj është që të nxitet një debat konstruktiv në shoqëri mbi zhvillimin ekonomik.

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, përgëzoi Riinvestin për hulumtimin duke thënë vendi ka rritur të ketë zhvillim ekonomik duke u bazuar në sektorin privat. Sipas tij, kjo ka ndikuar që të ketë ulje të shkallës së papunësisë.

“Ajo që na gëzon është se, duke respektuar të gjeturat e këtij instituti, ne kemi arritur që kemi zhvillim, ta bazojmë në sektorin privat dhe për të cilin ne shpresojmë që edhe këtë vit dhe viteve të tjera do të kemi rritje ekonomike mbi rritjen e tanishme që do të zbusë papunësinë, do të sigurojë konkurrencën etj. Është arritur të ulet papunësia nga 35 në 27 për qind, po ashtu vlerësojmë që papunësia është problem i madh”, tha Mustafa.

Ai theksoi se zhvillimi ekonomik dhe perspektiva e këtij vendi janë çështje të përhershme.

Mustafa foli edhe për Institutin Riinvest, duke thënë se ky institut është historik i vendit dhe është një ndër burimet më kredibile në Kosovë.

“Sot Kosova ka dhjetëra dr. shkence dhe ekonomistë të shkollave më të mira evropiane, ndjehem shumë i lumtur, sepse një pjesë të madhe të jetës e kam kaluar me bashkëpunëtorët që sot punojmë këtu. Janë hulumtimet e këtij instituti që kanë qenë një bazament i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Kosovës”, tha Mustafa.

Hoti: Rritja ekonomike 4%, e qëndrueshme

Ministri i Financave në detyrë, Avdullah Hoti, tha se ky hulumtim do ta qartësojë situatën ekonomike në vend.

“ Unë besoj që do të vendoset një praktikë, që në baza të rregullta, ne do të ulemi dhe të diskutojmë zhvillimet ekonomike”, tha Hoti.

Ai tha se është ndër rastet e rralla që qeveritë pajtohen me FMN-në dhe kemi dakordim mbi veprimet që është dashur te merren.

“Mendoj pajtohemi që rritja  prej 4 për qind është rritje e qëndrueshme. Tek çështja e punësimit ndihem mirë që hera e parë që janë 40 mijë vende pune në sektorin formal dhe jam i bindur që po aq vende janë në sektorin informal. Kemi një përmirësim stabilitet në financave publike. Po e mbajmë në kontroll borxhin publik”, tha Hoti.

”Ndjehem mirë që klima e biznesit po përmirësohet vazhdimisht dhe vetëm vitin e kaluar kemi pasur përmirësim prej 34 pozitave më raportin e Bankës Botërore”, tha ai.

Punësimi i të rinjve, deficiti tregtar,  efikasiteti i përgjithshëm institucional në vend janë sfidat kryesore që Hoti i rreshtoi si barrierat të cilat ende mbeten për përmirësim.

Hashani: Rritja ekonomike mbetet jotransformuese

Drejtori i hulumtimeve në Institutin Riinvest, Alban Hashani, gjatë prezantimit të të gjeturave të hulumtimit tha se pavarësisht të arriturave, Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha, për shkak të zhvillimeve politike të cilat e zhvendosin agjendën ekonomike diku tjetër.

“Historikisht problemet e Kosovës janë të mëdha. Niveli i rritjes ekonomike ende mbetet jotransformues… Niveli i papunësisë mbetet i lartë. Diaspora ka rol të rëndësishëm përmes remitancave. Ekonomia e Kosovës përballet me probleme për shkak të zhvillimeve politike”, tha Hashani.

Sipas të gjeturave, ai theksoi se përgjatë tremujorit të parë të vitit 2017 ka një rritje të çmimeve, por ky trend është harmonizuar me ulje të çmimeve në disa produkteve të tjera, “pra ka një inflacion pozitiv”.

Sa i përket tregtisë së jashtme, Kosova vazhdon të ketë një deficit të ulët tregtar.

“Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor tregtar për Kosovën duke vazhduar me vendet anëtare të CEFTA-s. Klima e biznesit në vend ka një perceptim pozitiv nga bizneset. Shumica e bizneseve kanë pritje pozitive për klimën e të bërit biznes gjatë këtij viti. Klima e biznesit në këtë tremujor është përmirësuar mjaft në raport me tremujorin e kaluar”, tha ai.

“Nga ATK-ja, trendi i rritjes së qarkullimit te ndërmarrjet është pozitiv. Borxhi i përgjithshëm vazhdon të mbetet i ulët dhe është më i ulëti në të gjithë rajonin. Normat e interesit kanë shënuar rënie të lehtë në krahasim me tremujorin e vitit paraprak, nga 7.27 për qind në 7.25 për qind”, tha ai.

Mantovanelli: Të forcohen kapacitetet prodhuese

Menaxheri i Bankës Botërore Zyra në Kosovë, Marko Mantovanelli, qëllimin e konferencës e cilësoi tërheqëse dhe integruese, ndërsa tha se Kosova ka bërë mjaftë që nga viti 2008.

“Nëse shihet aspekti makrofiskal, ne si BB nuk ankohemi, sepse është një mjedis stabil fiskal. Sektori financiar është i qëndrueshëm dhe likuid. Storja kryesore është se ne mund të presim që ekonomia mund të rritet, por nëse e shohim pak më larg, shohim që investimet luajnë rol dhe konsumi vazhdon të luaj rol”, tha ai

“Remitencat e nxisin kërkesën për konsum dhe kjo kërkesë ka një përgjigje, e kjo është përmes një ekonomie, e cila është ende në nivel të ulët, sepse gjithçka bazohet në import. I vetmi shtet në rajon që ka shumë të rinj dhe rreziku është, pa mundësi punësimi, mendojnë për të emigruar. Në kuptimin afatmesëm është kritike që duhet të ketë krijim i vende të punës përmes prodhimtarisë dhe konkurrueshmërisë”, tha Mantovanelli.

Ai ka rekomanduar që në këtë aspekt duhet të shkohet në shtim të produktivitetit dhe kapacitetit për të konkurruar në tregun ndërkombëtar.

“Ka disa përmirësime, por duhet të forcohen kapacitetet e vendit për të tërhequr investimet e jashtme. Një nga motorët e zhvillimit kanë qenë ndërmarrjet e vogla, por ato janë në një sfidë, sepse shumica nuk mbijetojnë më shumë se katër vjet. Agjenda tjetër e madhe është shkathtësitë e të rinjve dhe aktivizimi i tyre në tregun e punës”, ka thënë ai.

Menaxheri i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Zyra në Kosovë, Ruud Vermeulen, tha se Kosova duhet të largohet nga modeli i qëndrueshmërisë ekonomike përmes remitencave drejt rritjes së prodhimit vendor.

Bajrami: Ambienti i biznesit, përgjegjësi e të gjithëve

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në largim, Hykmete Bajrami, vuri theksin te disa projekte të cilat i kanë përfunduar dhe që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejt në ambientin e biznesit.

“Ne me marrjen e mandatit kemi vënë standarde dhe jemi munduar që të bëjmë barabarësinë për prodhuesit dhe tregtarët. E kemi pasur të qartë që ambienti i biznesit është përgjegjësi e të gjithëve dhe me ndihmën e donatorëve dhe institucionet kredibile në mënyrë që t’i bëjmë këto reforma”, tha ajo.

“Raportet japin një vlerësim pozitiv, por edhe pse kemi punuar shumë ne nuk jemi plotësisht të kënaqur. Bashkë me KIESA-n e kemi bërë projektin për certifikimin e produkteve”, tha Bajrami.

“Të gjitha politikat që i kemi bërë jemi konsultuar ngushtë me komunitetin e biznesit. Kemi fondin për garantimin e kredive dhe ne kemi parë efektin pozitiv të këtij projekti ku kemi aktualisht 200 kredi që janë nën ombrellën e këtij fondi”, tha Bajrami.

Të ngjashme