Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka nisur seanca e jashtëzakonshme ku po diskutohet për situatën në Kosovë.
Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.
Shefja e UNMIK-ut , Caroline Ziadeh, në fjalën e saj para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka njoftuar ata për marrëveshjet e fundit që janë arritur mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Pavarësisht marrëveshjeve, nuk ka pasur progres në implementimin e tyre”.
Ajo ka përmendur zgjedhjet në veri ku kryetarët shqiptarë u zgjodhën me një përqindje minimale të votave.
Shefja e UNMIK-ut i ka konsideruar negative edhe zhvillimet e shtatorit të vitit të kaluar kur u vra një pjesëtarë i Policisë së Kosovës.
Caroline Ziadeh ka thënë se ndalimi i befasishëm i dinarit serb në Kosovë ka prekur në masë të madhe serbët lokalë në Kosovë.
Ajo thotë se për këtë vendim të autoriteteve të Kosovës ka pasur edhe reagime të shumta ndërkombëtare.
“Masa të këtilla rrisin tensionet dhe dëmtojnë mundësinë për të pasur paqe për të gjitha komunitetet”.
Ziadeh ka përmendur edhe mbylljen e komunave paralele serbe në disa komuna të Kosovës.
Shefja e UNMIK-ut tha se zgjidhja për vendimet e fundit është vetëm përmes dialogut.