Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, e ka pranuar se ai është i shqetësuar për lëndimin në kyç që e pësoi Eden Hazardi gjatë barazimit me rezultat 2:2 të Real Madridit kundër Paris Saint-Germainit.
Dy golat e Karim Benzemës dukej se ia kishin siguruar një fitore mbresëlënëse madrilenëve kundër Paris Saint-Germainit, mirëpo golat e Kylian Mbappes dhe Pablo Sarabias ia dhanë mysafirëve një barazim në fund.
Hazardi u zëvendësua në pjesën e dytë të ndeshjes që po zhvillohej në Santiago Bernabeu pasi që pësoi një lëndim në kyçin e këmbës, pas një ndërhyrjeje nga bashkëkombësi i tij belg, Thomas Meunier.
Zidane, skuadra e së cilit tani e ka të garantuar kualifikimin në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve nga Grupi A, mbeti i shqetësuar nga lëndimi që e pësoi belgu.
“Po, është shqetësues. Është më shumë sesa një goditje e thjeshtë, por unë shpresoj të jetë më e vogël”, u shpreh Zidane, në konferencën për shtyp, pas ndeshjes.
“Unë nuk mund të them se çfarë do të ndodh menjëherë. Ata kanë shkuar për t’i kryer edhe disa teste dhe më vonë do ta kuptojmë”.
Skuadra e Zidanit tashmë mund ta presë me emocione shortin për fazën eliminatore, që do të nisë në shkurt, ndërsa futbollistët e Los Blancos do të përqendrohen te përballja e së shtunës me Deportivo Alavesin.