Zidane me shumë modesti ka thënë se nuk është trajneri më i mirë në botë, pavarësisht se është favoriti kryesor për të fituar çmimin “The Best”.
Zinedine Zidane, Massimiliano Allegri dhe Antonio Conte – janë tre kandidatët për çmimin “The Best”, për trajnerin më të mirë në botë, shkruan Gazeta Express.
Trajneri i Real Madridit është favoriti kryesor për këtë çmim pas suksesit të jashtëzakonshëm me 12 herë kampionët e Evropës, ku fitoi La Ligan, Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Superkupën e Spanjës.
Zizu, që ka fituar deri më tani shtatë tituj me Realin dhe është rrugës për të tetin (Kupën e Botës për Klube në dhjetor), do ta pranonte me shumë kënaqësi çmimin “The Best”, por thotë se ai nuk e sheh vetën si trajneri më i mirë.
“Nuk mendoj se jam trajneri më i mirë, jam shumë larg të qenit më i miri”, tha fillimisht Zidane.
“Jam me fat që gjendem në klubin më të mirë në botë me lojtarët më të mirë. Jam duke u treguar i sinqertë, e bëj këtë punë me pasion dhe çdo ditë po përmirësohem”.
“Nëse më japin çmimin “The Best”, për trajnerin më të mirë, me shumë dëshirë do ta pranoj, por nuk jam trajneri më i mirë në botë”, theksoi mes tjerash Zidane.
Çmimi për trajnerin më të mirë të ndahet nga FIFA të hënën në Londër, ku edhe do të mësohet futbollisti më i mirë për sezonin që lamë pas – Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Neymar janë tre kandidatët për “The Best”.