Ka qenë e vështirë të kuptohen disa nga vendimet e Zinedine Zidanet në zgjedhjet e përbërjes startuese të Real Madridit në ndeshjet e fundit.
Lojtari që ka shënuar “hat-trick” në një ndeshje, qëndroi në stol në ndeshjen tjetër. Një që duket si titullar i padiskutueshëm në një moment, papritmas kthehet në bankinë në një periudhë të gjatë. E gjitha kjo është pjesë e një plani më të madh të trajnerëve, që të ketë një skuadër të tërë të motivuar dhe të përkushtuar kur momentet vendimtare të stinorit të arrijnë, shkruan sot Koha Ditore.
“Unë dua të tregoj se të gjithë janë të gatshëm”, ka thënë Zidane, pasi skuadra e tij fitoi thellë 4:0 të shtunën në La Liga ndaj Eibarit. “Duhet të menaxhoj skuadrën, të sigurohem që gjithë lojtarët të ndihen se janë pjesë e rëndësishme e kësaj skuadre. Kështu mendoj se mund të arrijmë gjëra të mëdha. Me 12 apo 13 lojtarë mund të arrish sukses për një kohë, por jo për një periudhë më të gjatë”.
Rotacionet e tij kanë ardhur shpesh dhe pa shumë logjikë, së paku kështu është dukur nga jashtë.
Kundër Eibarit, Zidane vendosi të mos e përdorë sulmuesin e ri Rodrygo, i cili shënoi tre gola dhe asistoi një në fitoren 6:0 ndaj Galatasarayt në Ligën e Kampionëve mesjavën e kaluar. Ai vendosi të kthente në formacionin startues Lucas Vazquezin, që nuk ishte aktivizuar si titullar në një numër të ndeshjeve, ndonëse në fillim të stinorit dukej se është titullar i preferuar i Zidanet.