Zjarri në Fier, evakuohen 11 familje

Prishtinë | 05 Kor 2026 | 17:16 | Nga Ekonomia Online

Zjarri ka përfshirë një zonë të Fier, ku Policia e Shqipërisë bëri të dituri se forcat zjarrfikëse, helikopterë të Forcave të Armatosura, si dhe dhjetëra efektivë po punojnë për shuarjen e flakëve.

Ndërkohë, sipas njoftimit të policisë, në gatishmëri në zonën e prekur nga zjarri është edhe ekipi i urgjencës së spitalit.

Vatra e zjarrit, e cila ka nisur fillimisht pranë vendit të quajtur “Azotiku”, në fshatin Drizë, e më pas policia njoftoi se është përhapur në zonën e Qafës së Koshovicës, duke përfshirë sipërfaqe të pyllëzuara në afërsi të fshatrave Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë Myrtezaj dhe Plyg.

Për shkak të përmasave të zjarrit dhe erës së fortë që favorizon përhapjen e flakëve, në njoftim thuhet se shërbimet e policisë kanë evakuuar 11 familje nga banesat e tyre, si dhe vijojnë të monitorojnë banesa dhe subjekte të tjera në zonë që mund të rrezikohen nga përhapja e flakëve.

“Gjithashtu, shërbimet e Policisë Rrugore kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve në të dy kahet e rrugës, në segmentin “Qafa e Koshovicës–Cakran” dhe anasjelltas, si dhe po asistojnë shërbimet zjarrfikëse në terren, duke mundësuar transportin e pajisjeve dhe mjeteve zjarrfikëse në zonat me terren të vështirë”.
Sipas policisë, deri në këto momente, pavarësisht rrezikut të lartë, nuk është raportuar asnjë rast asfiksie apo lëndimi të banorëve.

“Gjithashtu, është bërë e mundur shuarja e flakëve që kishin përfshirë një banesë, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale”, thuhet në njoftim.
Në vendngjarje janë angazhuar forcat e Posaçme “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, Policia Rrugore, grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, si dhe drejtuesit e shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, të cilët po koordinojnë dhe menaxhojnë situatën në terren.

“Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë shoqëruar 2 shtetas të dyshuar për shkaktimin e zjarrit dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për grumbullimin e provave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë së DVP Fier, me mbështetjen nga ajri të helikopterëve të Forcave të Armatosura, po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit”, njoftoi policia.

Të ngjashme