Kryeministri Ramush Haradinaj është zmbrapsur nga vendimet për heqje nga privatizimi i pronave shoqërore në veri të vendit dhe bartjen e tyre në pronësi të komunave, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ai në mbledhjen e Qeverisë, të mërkurën, ka marrë vendim për pezullimin e këtyre vendimeve. Ky vendim ka ardhur pasi presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretim të këtyre vendimeve pesë ditë më parë.
“Vendimi anulon të gjitha vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për kthimin e pronave shoqërore te komunat e Kosovës për qëllim të realizimit të interesit publik, për të cilat i janë drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e për të cilat verifikohet se ka kontrata të shitjes, apo në të cilat ka masa të përkohshme nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës”, ka theksuar Haradinaj.
Nga ky vendim përjashtohen vendimi për Parkun Inovativ në Prizren, Zonën Industriale Amerikane në Gjakovë dhe ai për ndërtimin e Ambasadës Gjermane në Prishtinë.
Pas mbledhjes së Qeverisë, i pyetur rreth kësaj, Haradinaj ka thënë se çka do që vendos Kushtetuesja e respektojnë.
Ditë më parë, Zyra Ligjore e presidentit, duke u mbështetur në qëndrimet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka kërkuar që të interpretohen nenet 92 dhe 94 të Kushtetutës së Kosovës pas vendimeve të Qeverisë për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe bartjes së një numri të pronave që menaxhoheshin nga AKP-ja në pronësi të Komunës së Mitrovicës së veriut, Kllokotit, Ranillugut dhe komunave të tjera.