Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, pas sulmit ndaj tij një ditë më parë po vazhdon të trajtohet në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK. Ndërsa organet e sigurisë kanë bërë të ditur se po vazhdojnë hetimet ndaj këtij sulmi. Zyra për Informim e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës ka deklaruar për gazetën se rasti po hetohet
PK-ja nuk ka dhënë detaje të reja rreth rastit me arsyetimin e mospengimit në zhvillimin e hetimeve. Por në një njoftim për medie PK-ja ka njoftuar se pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, si dhe pas përfundimit të procedurave fillestare nga ana e Policisë, puna hetimore e Policisë është fokusuar në identifikimin e personave të dyshuar me qëllim kapjen e tyre, si dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.
I kontaktuar nga gazeta drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, Arsim Morina, ka thënë se gjendja e Zogajt është stabile. Sipas tij, Zogaj po merr tretmanin e vazhdueshëm në këtë klinikë, shkruan Zeri.
Sulmi ndaj Zogajt është dënuar dhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka dënuar ashpër sulmin ndaj ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës Sokol Zogajt. Nëpërmjet një shkrimi në “Facebook” Thaçi ka thënë se ky sulm është “i papranueshëm, i drejtuar kundër institucioneve të Kosovës dhe përpjekjeve tona për forcimin e sundimit të ligjit”.
Ai ka ftuar Policinë e Kosovës dhe institucionet e drejtësisë “që të ndriçojnë sa më parë këtë rast dhe të gjejnë autorët e këtij krimi”. “Drejtorit Zogaj i uroj shërim sa më të shpejtë”, ka përfunduar presidenti Thaçi.