Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka shqyrtuar Raportin Vjetor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, raporton Ekonomia Online.
Ata nuk votuan raportin vjetor të ZRrE-së, pasi që ai raport nuk u konsiderua si i plotë nga deputetët, anëtarë të komisionit.
Deputetët patën pyetje drejtë kreut të bordit të ZRrE-së, Arsim Janova.
“Cila është diferenca e të hyrave të KEDS-it në këtë vit. Sa ka ulje të humbjeve komerciale në vitin 2018 dhe a janë ulë humbjet teknike. Çka po ndodhë me faturat te komunat që nuk paguajnë rrymë?”, pyeti Liburn Aliu.
Sipas deputetit Aliu ky raportim është i mangët pasi që mungojmë shifrat e raportimit.
Pyetje pati edhe deputeti nga PSD-ja, Dardan Sejdiu.
Ai tha se ende mbetet problematikë mënyra e qasjes së sektorit të energjisë.
“Obligimi i shërbimit publik për kë është dhe cili është qëllimi i këtij instrumenti? A ka te burimet e ripërtërishme, a ka diskutim lidhur me licencat për energjinë nga uji? Rolin e ZRrE-së, nuk e shoh si vëzhgues e monitorues ma shumë ju shoh si mbrojtës të interesit publik. Këtë raport në këtë formë unë nuk e voto,j na duhet dokumente dhe përgjigje që po i kërkojmë. Për mua është problematikë mënyra si po i qasemi sektorit të energjisë. Po mendoj që ekzistojnë katrahura, si në çështjen e Countur Globalit etj”.
Kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Arsim Janova, tha se Hidrocentralet në Deçan po operojnë pa leje mjedisore, ani pse licencën e kanë nga ZRrE-ja.
“Mungesa e të dhënave të monitorimit: ato do kompletohen shumë shpejt dhe do bëhen publike. Ka vërejtje të institucioneve që jepen drejtë Kosovës së re. Hidrocentralet në Deçan po operojnë pa leje mjedisore, ani pse Licencën e kanë prej nesh”, tha Janova, raporton EO.
Deputeti Liburn Aliu tha se operimi i hidrocentraleve në Deçan pa leje mjedisore përbën shkelje ligjore.
“Përderisa ata operojnë pa leje mjedisore kjo përbën shkelje. Do duhej që ta ndërpreni menjëherë punën e tyre në mënyrë që të zbatohet ligji”, tha ai.
Ndërsa Petrit Pepaj nga ZRrE-ja, tha se gjendja në veri vazhdon të mbetet e njëjtë pasi që rregullatori nuk mund të ketë qasje në atë pjesë.
“Në 2018 humbjet komerciale janë 14 për qind. Situata në katër komunat është e njëjtë nuk ka lëvizje, operatori dhe rregullatori nuk kanë mundësi të kenë qasje në atë pjesë. 66.84 euro çmimi i importit për këtë vit. Çmimi i KEK-ut do rritet pasi që KEK-u duhet me investu në Kosovën B, me ç’rast do rritet çmimi i energjisë për 50 për qind”, tha Pepaj.
“Janë gjithsej 8 kompani për furnizim dhe përkundër kësaj përveç KESKO-s asnjë nuk është aktive çka e bënë të vështirë liberalizimin e tregut të energjisë. ZRrE-ja ka regjistruar 106 ankesa të konsumatorëve.
Në KESKO kanë qenë 8040 ankesa të konsumatorëve në 2018. 5309 gigavat orë rrymë në vitin 2018. 272 gigavat orë energji e papaguar në veri. 31 euro mesatarisht KEDS-i e blen rrymën prej prodhuesit”, shtoi Janova.