Zv.ministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka ka thënë se informacioni që ka rrjedhur në media se janë mbi 110.000 automjete të paregjistruar nuk është real, përcjell Ekonomia Online.
Ai ka thënë se duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për automjetet që janë të regjistruara që nga Nëntori i viti 1999, jo të gjitha këto automjete që figurojnë në bazën e të dhënave si automjete të regjistruara mund të jenë në qarkullimin rrugor.
Zeka ka shtuar se në Kosovë janë 79.479 automjete që nuk e kanë vazhduar regjistrimet dy vitet e fundit.
Njoftimi i plotë i zv.ministrit Zeka:
Duke pasur parasysh që kohëve të fundit kemi informacione të ndryshme rreth mosregjistrimit të automjeteve në Kosovë po u sjell informacionet e sakta në mënyrë që mos të qarkullojnë statistika të cilat nuk kanë mbështetje institucionale dhe ligjore.
Njoftimi në media nga Shoqata e Siurimeve të Kosovës se janë mbi 110.000 automjete të paregjistruara nuk është real, duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për automjetet që janë të regjistruara që nga Nëntori i viti 1999. Jo të gjitha këto automjete që figurojnë në bazën e të dhënave si automjete të regjistruara mund të jenë në qarkullimin rrugor duke pasur parasysh se një numër i tyre mund të jenë jashtë përdorimit ose të shkatërruara pasi që pronarët e mjeteve nuk e kanë deklaruar vendqëndrimin e tyre.
Sipas të dhënave zyrtare që kemi si MPB respektivisht Departamenti i Regjistrimit të Automjeteve janë 79.479 automjete që nuk e kanë vazhduar regjistrimet dy vitet e fundit. E që nuk mund ti konsiderojmë se të gjitha këto automjete janë ne qarkullimin rrugor, gjë që një numër i tyre mund të jenë të amortizuara dhe jasht perdorimit
Me ligjin për automjete Nr. 05/L-132 Janë paraparë dispozita ligjore që obligojnë pronarët e mjeteve, që për mjetet jashtë përdorimit që ta bëjnë ç lajmërimin duke prezantuar dëshminë e asgjësimit.
Ministria e Punëve të Brendshme / Departamenti për Regjistrimin e Automjeteve në bashkëpunim me policinë e Kosovës është duke punuar në atë drejtim që me akt nënligjor ti rregulloj procedurat për zbatimin e gjobave që parashihen me ligj, për pronarët e mjeteve që janë jashtë përdorimit e që nuk e paraqesin dëshminë e asgjësimit, apo deklaratën e lokacionit se ku ndodhet mjeti.