Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur fajtor zëvendësministrin aktual të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, Qazim Rrahmani, i cili është akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Rrahmani ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, në kohën sa ka qenë zëvendësministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).
Rrahmani është dënuar me gjashtë muaj burgim, por me pajtimin e tij, ky dënim i është zëvendësuar me dënim me gjobë prej tre mijë eurosh, të cilin ai mund ta paguaj me këste.
Indeksonline shkruan se zëvendësministri i cili vjen nga radhët e komunitetit ashkali ka keqpërdorur mijëra euro të buxhetit të shtetit. Rrahmani për më shumë se një vit shpenzoi afro 13 mijë euro nga kredit-kartela, e cila është e dedikuar enkas për zyrtarët e lartë qeveritarë.
Ndonëse merr rrogë fikse 1150 euro në muaj, një pjesë të madhe të parave i ka shpenzuar në mënyrë krejtësisht joligjore dhe jashtë rregullores së paraparë për arsyetim dhe faktimin e tyre.
Në dëshmitë që ka siguruar Indeksonline shihet se zv.ministri aktual i MKRS-së bleu me kartelë në markete, pika të shitjes së derivateve, madje duket se shkoi dhe në pushime verore me para të Qeverisë. Përpos kësaj, ai ka tërhequr mijëra euro nga bankomatët në Kosovë. Gjithsej vlera e tërheqjeve shkon në 5 580 euro.
Sipas aktakuzës, nga shuma e përgjithshme e cila ishte tërhequr, ai MPMS-së ia ka kthyer 7 504 euro, ndërsa dëmi aktual ndaj MPMS-së arrin vlerën prej 4 858 euro.
Me aktgjykimin e së hënës, Rrahmani po ashtu është obliguar që shumën prej 4 858 euro t’ia kompensojë MPMS-së.