Zv.ministrja e Jashtme: Shërbimi i jashtëm nuk mbahet me kushërinj e teze, por me profesionistë

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 15:13 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ngjashëm si shefja e saj Donika Gërvalla, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Liza Gashi, mendon se “shërbimi i jashtëm i Kosovës është i mbushur me kushërinj, teze, halla e dajë”.

E ftuar në debat “FOL Hapur” organizuar nga Lëvizja FOL, Liza Gashi ka thënë se shërbimi i jashtëm nuk mund të mbahet me njerëz të punësuar në baza nepotiste, por me njerëz profesionistë, raporton Ekonomia Online.

“Shërbimi i jashtëm nuk mbahet me kushërinj, teze, halla e dajë. Shërbimi i jashtëm mbahet me njerëz profesionistë të cilët janë anë e kanë këtij vendi edhe jashtë vendit. Kosova është vend i vogël. Ndonjëherë ka mundësi që dalin edhe disa familjarë; unë nuk gjykoj, edhe në Ministri të Punëve të Jashtme, ju kam thënë gjithë zyrtarëve të cilët i kam taku…”

“Pa marrë parasysh kënd e përkrahin njerëzit sa i përket partisë. Kjo punë është zgjedhje, është zgjedhje personale kënd ti voton, kë e do. Për mua ka rëndësi në kuadër të koordinimit, komunikimit dhe implementimit të politikave është kompetenca, kompetenca dhe vetëm kompetenca”, u shpreh ajo.

Teksa ka folur për punët që bëhen në këtë dikaster, zëvendësministrja Gashi ka thënë se në emër të institucioneve bëhen skandale por që sipas saj nuk merren masa ndaj tyre pasi që është djali i ndonjë funksionari të lartë.

“Ne duhet të mësojmë të respektojmë profesionistin por edhe të penalizojmë zyrtarin … që në emër të institucionit bënë skandale të njëpasnjëshme por për faktin që është djali ose çika filanit nuk merren masa. Edhe kur ne bëjmë gabime jam e gatshme me u kthy mbrapa me reflektu në gabime potenciale ton në mënyrë që me lëviz tutje”, ka thënë ajo.

Kritika të tilla janë dëgjuar shpesh nga zyrtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke përfshirë edhe vetë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Shefi ekzekutivit gjatë fushatës zgjedhore kishte thënë se kushërinjtë janë për dasma, e jo për t’i punësuar.

Të ngjashme