Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna mori pjesë në ceremoninë e lansimit të programit “Mentoring Our Future” për vitin akademik 2021-2022, i cili këtë vit përkrahet edhe nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe realizohet në bashkëpunim me KUSA-n (të diplomuarit e ShBA-ve në Kosovë).
Me këtë rast, zëvendësministrja Maloku Bërdyna tha se, “Mentoring Our Future” është mundësi për të ardhmen e të rinjve tanë, sepse është pikëtakim ku studentët rriten e zhvillohen duke përfituar nga njohuritë dhe përvojat e emrave të arrirë të hapësirës sonë akademike e profesionale.
Maloku Bërdyna theksoi se, fakti që deri më sot “Mentoring Our Future” ka bashkuar 130 studentë e mentorë, në komunikim direkt e të përmuajshëm, tregon për potencialin e programit, i cili ka rezultuar në rrjetëzime me universitete e organizata ndërkombëtare, bursa studimi brenda e jashtë vendit, hulumtim dhe punësim të studentëve të mentoruar.
Ndër të tjera, Zëvendësministrja tha se, MAShTI është duke i kushtuar një rëndësi të veçantë përfaqësimit dhe zhvillimit të vajzave/grave dhe grupeve të cënueshme që kanë më pak mundësi. Prandaj, ajo theksoi se është edhe një mundësi shtesë të cilën programi mund ta kapitalizojë, pra atë të mentorimit të vajzave/grave në fushat e shkencave natyrore, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës (apo STEM) dhe komunikimit me rol-modele të suksesshme në këto industri.