Komuna e Prishtinës e ka paguar afro 350 mijë euro të buxhetit të saj për këstin e parë të kredisë për kontingjentin e parë të autobusëve të rinj, ndërkohë që kontingjenti i dytë nuk ka arritur në Kosovë edhe pas dy vjetësh, që kur është nënshkruar marrëveshja me kompaninë çeke “Iveco” për 51 autobusët e ri, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kryeshefi i ndërmarrjes “Trafiku Urban”, Lulzim Rexhepaj, ka konfirmuar për “Kohën Ditore” se pas këstit të parë, obligimet e kësteve të tjera do të paguhen nga vetë kjo ndërmarrje, e cila megjithatë ende vazhdon t’i heqë vetëm shpenzimet operative me fitimet mujore vetjake.
“Komuna e ka paguar këstin e parë të kredisë në shumën 344. 584.53 euro. Kjo është vlera që i bie në përpjesëtim për 30 autobusë që i kemi në përdorim. Kurse, pas marrjes së kontingjentit të dytë prej 21 autobusësh, do te rriten këstet e kredisë”, ka theksuar Rexhepaj.
Ai ka thënë se “Trafiku Urban” në qershor 2015 ka nënshkruar marrëveshje të kredisë me vlerë 10 milionë euro me BERZH-in, me ofrimin e garancisë për kredi nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Financave e Republikës se Kosovës.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një deklaratë për KD-në ka thënë se tashti nuk e di datën se kur do të vijë kontingjenti i dytë i autobusëve të rinj, ani që para dy javësh ai pati thënë se është çështje ditësh se kur do të ndodhë kjo.
Ai ka shtuar se pas pagesës së 30 për qind të shumës, që e ka kryer Komuna, “Iveco” e ka një afat të caktuar se kur duhet t’i sjellë edhe 21 autobusët e kontingjentit të dytë.