Zvarritet finalizimi i Planit Zhvillimor Komunal të Pejës

Prishtinë | 11 Shk 2019 | 12:39 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Pejës ende nuk i ka finalizuar hartimin e Planit të ri Zhvillimor Komunal (PZHK) dhe Hartën Zonale të Komunës (HZK) për zhvillimin e kësaj komune për periudhën 2019-2027.

Përfundimi i këtyre dy dokumenteve të rëndësishme, të cilat përcaktojnë kahun e zhvillimit të Komunës së Pejës për tetë vjetët e ardhshëm, është dashur të ndodhë në fund të vitit të kaluar, ashtu siç patën deklaruar në vjeshtë vetë zyrtarët përgjegjës komunalë për hartimin e këtyre dy dokumenteve.

Gjatë muajit janar është pritur të mbahen sërish takimet publike për draft-dokumentin e PZHK-së dhe HZK-së dhe në fund të janarit Drejtoria e Urbanizmit të dalë me dokumentet finale. Mirëpo aktualisht ende gjenden larg përfundimit të PZHK-së dhe HZK-së, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Kemi thënë se deri në fund të dhjetorit kryhet PZHK-ja, por ende nuk ka përfunduar për shkak se Udhëzimi Administrativ në ministri ka përcaktuar disa afate kohore të cilat është dashur t’i ndjekim dhe kjo e ka shty edhe finalizimin e PZHK-së, i cili është thuajse i gatshëm dhe atë e kanë marrë drejtorët komunalë për ta analizuar dhe për të dhënë komentet e tyre. Pastaj duhet ta marrin edhe këshilltarët komunalë e ta analizojnë dhe nëse kanë vërejtje me dhënë”, pohon drejtori i urbanizmit, Rajan Arapi, arsyet e zvarritjes së përfundimit të PZHK-së dhe HZK-së.

Kurse drafti përfundimtar i PZHK-së, Arapi beson se do të dalë gjatë muajit shkurt në diskutim publik dhe pastaj të miratohet në Kuvendin Komunal, me ndryshimet që mund të pësojë nga kërkesat eventuale që do të dalin në ato diskutime publike.

“Momenti që kryhet PZHK-ja, vijmë në pjesën e punimit të Hartës Zonale, e cila pastaj do të shkojë më shpejt, sepse secili do t’i ketë detyrat e ndara nëpër drejtoritë përkatëse. Realisht besoj që deri në muajin prill do të jenë të kryera Plani Zhvillimor dhe Harta Zonale”, tregon Arapi muajin kur pritet që kjo komunë t’i ketë të gatshme të dy këto dokumente për përmbajtjen e të cilave verën e kaluar janë mbajtur edhe diskutime publike me qytetarët në zonat urbane dhe ato rurale.

Vizionet e shprehura në ato takime kanë dalluar mjaft nga banorët e qytetit me ata të fshatrave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme