Zvarritet vlerësimi rreth vonesave në punimet e autostradës për në Shkup

Prishtinë | 28 Maj 2019 | 07:57 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Infrastrukturës ende nuk ka konstatuar nëse ka pasur vonesa në kryerjen e punimeve nga “Bechtel&Enka” për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit.

Edhe pse kishin kundërshtuar raportimin e gazetës dhe të shoqërisë civile se aneks-kontrata parasheh që punimet të përfundojnë më 1 qershor, përfaqësues të kësaj ministrie kanë thënë se ky konstatim do të bëhet pas rikapitulimit të kontratës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kontrata për rrugën 6 dhe ndërtimin e projektit të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit ishte lidhur më 1 korrik 2014 ndërmjet MI-së dhe “Bechtel&Enka”. Vetëm 18 ditë pas formimit të Qeverisë, më 27 shtator 2017, ministri Pal Lekaj kishte nënshkruar marrëveshjen për zgjatjen e afatit të kontratës, por duke lënë të paadresuara çështjet komerciale, respektivisht koston e zgjatjes së afatit për 347 ditë.

Ndërsa në nëntor 2017, “Bechtel&Enka” nga 14.78 milionë euro, që kërkonte për dëme të shkaktuara nga vonesat, këtë shumë e kishte ngritur në 63 milionë euro. Ndërsa më 5 shtator 2018, ministri Pal Lekaj dhe “Bechtel&Enka” kishin nënshkruar aneks-kontratën e tretë prej 53 milionë eurosh, duke e ndryshuar vlerën e përgjithshme të kontratës nga 608.348.430 euro në 661.448.430 euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme