Zvicër: Kosovarët paguajnë 74 për qind më shumë për sigurimin e veturës

Prishtinë | 20 Gus 2024 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Se të huajt në Zvicër dhe në veçanti shqiptarët (kryesisht shtetasit e Kosovës e të Maqedonisë) duhet të paguajnë më shumë për sigurimin e veturave të tyre, është një fakt që është konstatuar tashmë disa herë, edhe nga burimet kompetente dhe albinfo.ch ka shkruar për këtë disa herë.

Një artikull më gjithëpërfshirës rreth kësaj e ka publikuar sot gazeta zviceranme 20 minuten, duke ju referuar një analize të bërë nga kompania e specializuar për krahasimin e çmimeve të shërbimeve, Comparis. “Siguruesit zviceranë të makinave ndonjëherë u ngarkojnë të huajve prime shumë të larta, siç tregon një analizë e re, e bërë nga Comparis. Të rinjtë me shtetësi kosovare, maqedonase dhe turke në veçanti duhet të paguajnë më shumë se qytetarët zviceranë. Shtesat e primit për sigurimin gjithëpërfshirës (Vollkasko), te kosovarët shkojnë deri në 74.4 për qind.
Diferenca më e madhe në çmimin e primit vlen për kosovarët 20-vjeçarë në qytetin e Bazelit që ngasin një Mercedes-Benz GLC: ata paguajnë mesatarisht 74.4 për qind më shumë se shtetasit zviceranë. Në vendin e dytë janë shtetasit e Maqedonisë (73,6 për qind) dhe turqit (72,9 për qind) – gjithashtu në Bazel dhe me një Mercedes-Benz.

Në të kundërt, të rinjtë portugezë në Bazel paguajnë “vetëm” 24.2 për qind më shumë për sigurimin gjithëpërfshirës për një Mercedes-Benz GLC.

Diferenca më e madhe për shoferët e rinj nga Spanja në krahasim me zviceranët është 19.8 për qind (e konstatuar për një makinë Škoda Octavia) në Bazel. Të rinjtë italianë duhet të paguajnë tarifat më të larta në St. Gallen (16.9 për qind, VW Golf), transmeton albinfo.ch. Premia më e madhe për shoferët e rinj gjermanë është në Bazel me 2.6 përqind (Škoda Octavia). Nëse ata kanë një Mercedes-Benz GLC, gjermanët në Bazel paguajnë rreth një për qind më shumë se zviceranët.

Comparis në analizën e vet ka përdorur vetëm profilet e drejtuesve të makinave pa dëmtime të mëparshme.

Për shoferët me përvojë, tarifat shtesë për të huajt janë më të ulëta se sa për shoferët e rinj, por ato janë megjithatë shumë më të larta në krahasim me tarifat që paguajnë zviceranët. Kështu, një kosovar 42-vjeçar paguan 54.8 për qind më shumë në qytetin e Cyrihut se sa një zviceran, ndërsa për një shtetas të Maqedonisë së Veriut pagesa është 54.7 për qind më e lartë dhe një turk (gjithmonë me Mercedes-Benz GLC) paguan 53.7 për qind më shumë për sigurimin vollkasko.

“Kombësia (përkatësia shtetüerore) është një kriter i rëndësishëm për siguruesit gjatë llogaritjes së probabilitetit të shfaqjes së dëmit – edhe nëse duket e padrejtë”, thotë Adi Kolecic, ekspert i mobilitetit, në Comparis. Mosha, vendbanimi, gjinia dhe përvoja e drejtimit të automjetit janë gjithashtu vendimtare. “Veçanërisht të rinjtë e huaj që drejtojnë makina të shtrenjta duhet të presin tarifa të larta kur bëhet fjalë për sigurimin e makinës”.

Edhe zviceranët mund të marrin tarifa shtesë

Zviceranët gjithashtu marrin ndonjëherë një tarifë më të lartë. Nganjëherë shoferët gjermanë paguajnë më pak se shoferët zviceranë – në disa rajone për modele të ndryshme makinash. Në St. Gallen dhe Biel, një shofer gjerman me përvojë me një Škoda Octavia paguan rreth një për qind më pak se një shofer zviceran. E njëjta gjë vlen edhe për një Fiat 500 dhe një Cupra Formentor në qytetet e Ticinos.

Me një Tesla Model Y, të rinjtë kosovarë nga Cyrihu paguajnë deri në 51.8 për qind më shumë, krahasuar me moshatarët e tyre zviceranë, përcjell albinfo.ch. “Diferencat në përqindje janë më të voglat për Tesla-n, por në përgjithësi primet e sigurimit gjithëpërfshirës janë më të lartat për këtë model”, thotë Kolecic. Të rinjtë kosovarë dhe ata nga Maqedonia e Veriut në St. Gallen paguajnë më së shumti për sigurimin e plotë (Vollkasko) për një VW Golf në krahasim me zviceranët (69 për qind secili). Të rinjtë me shtetësi turke duhet të presin një shtesë prej një mesatare prej 66 përqind (gjithashtu në St. Gallen).

Të ngjashme