Zvicër: Kosovari del para gjykatës për vrasjen brutale të partneres në sy të fëmijëve

Prishtinë | 07 Kor 2026 | 21:13 | Nga Ekonomia Online

Një 46-vjeçar me shtetësi të Kosovës ka dalë të martën para Gjykatës Penale në Vevey të Zvicrës, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij 38-vjeçare në maj të vitit 2023.

Prokuroria zvicerane e ngarkon atë me akuzën për vrasje të rëndë, duke pretenduar se e sulmoi me disa goditje me thikë, nuk i ofroi ndihmë pasi e la të plagosur rëndë dhe u largua nga banesa bashkë me vajzën e tyre të vogël, shkruan gazeta e njohur zvicerane Blick transmeton Klankosova.tv.

Sipas aktakuzës, ngjarja ndodhi mëngjesin e 26 majit 2023 në banesën e viktimës në Vevey. I akuzuari, i cili jetonte në Gjermani dhe kishte një lidhje në distancë me partneren, kishte mbërritur në Zvicër dy ditë më herët.

Prokuroria pretendon se pas një sërë konfliktesh mes çiftit, ai e sulmoi 38-vjeçaren me disa goditje me thikë, duke përdorur një armë të ndaluar që kombinonte një dorezë metalike me teh. Viktima pësoi plagë të rënda në qafë dhe kraharor, të cilat shkaktuan gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, duke i marrë jetën.

Sipas hetimeve, pas sulmit ai nuk thirri ambulancën dhe as nuk u përpoq t’i jepte ndihmën e parë. Përkundrazi, dyshohet se mori telefonin e viktimës, e mbylli banesën dhe u largua me vajzën e tyre të vogël, ndërsa partnerja ishte ende gjallë. Më pas u nis drejt qytetit të Thun-it, ku jeton njëri prej vëllezërve të tij, derisa u ndalua nga policia.

Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën për vrasje të rëndë, vepër që në të drejtën penale zvicerane zbatohet kur një krim kryhet me egërsi të veçantë, motive të ulëta ose pas një planifikimi të ftohtë. Nëse shpallet fajtor për këtë vepër, ai mund të dënohet deri me burgim të përjetshëm. Si alternativë, aktakuza përfshin edhe veprën penale të vrasjes, e cila parashikon dënim prej të paktën pesë vjetësh burg.

Sipas dosjes së prokurorisë, marrëdhënia mes çiftit ishte përkeqësuar prej kohësh. Konfliktet lidhen me xhelozinë, sjelljen posesive të të akuzuarit, mosmarrëveshjet për vendbanimin, mbiemrin e familjes dhe edukimin fetar të fëmijës. Hetimet janë udhëhequr nga prokurori i përgjithshëm i kantonit Vaud, Eric Kaltenrider.

Çifti ishte njohur në vitin 2020 përmes miqve të përbashkët dhe në vitin 2021 u bënë prindër të një vajze. I akuzuari kishte edhe fëmijë nga një martesë e mëparshme. Ai kishte punuar si montues mobiliesh, por kishte mbetur pa punë pas një aksidenti në vendin e punës në vitin 2015 dhe merrej me karate e boks tajlandez, shkruan Blick transmeton Klankosova.tv.

Viktima ishte larguar nga Kosova me babanë e saj në vitin 2001 për t’u vendosur në Zvicër. Ajo jetonte në Vevey dhe ishte nënë e tre fëmijëve nga martesa e parë, për të cilët kujdesej e vetme.

Në seancën e parë gjyqësore, e cila u zhvillua me përkthim në gjuhën shqipe dhe në prani të familjarëve të viktimës, i akuzuari mohoi një pjesë të akuzave. Ai deklaroi se nuk kujtonte ta kishte goditur partneren disa herë me thikë, mohoi se marrëdhënia mes tyre kishte qenë e keqe dhe hodhi poshtë pretendimet se e kishte kërcënuar më herët me vdekje.

Sipas mediave zvicerane që raportuan nga salla e gjyqit, gjatë marrjes në pyetje i akuzuari dha disa përgjigje kontradiktore dhe shpesh të paqarta. Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me paraqitjen e argumenteve përfundimtare të palëve.

Të ngjashme