Zvicerania që zbukuron muret e Kosovës

Prishtinë | 31 Dhj 2021 | 08:37 | Nga Ekonomia Online

Thera e barishte jo të mirëmbajtura, mbeturina e baltë përshkojnë tokën te tuneli në afërsi të Stacionit të Trenit në Prishtinë.

Zymtësinë e kësaj zone në një ditë të dimrit e thyejnë vetëm ngjyrat e ndritshme të muraleve gjithandej murit të tunelit.

Në një nga këto murale shihet një vajzë e veshur me motive të veshjeve tradicionale të amerikanëve nativë dhe që mban në duar kokën e “Hyjneshës në Fron”, simbol i qytetit të Prishtinës.

Ky është njëri ndër muralet e punuara nga artistja zvicerane, Krystel Suire, që po punon e vepron në Kosovë tash e tre vjet. Krystel i ka lënë vetes emrin artistik “Stern”.

Artisten 36-vjeçare e solli për herë të parë në Kosovë ftesa në një festival për art të rrugës dhe grafite të quajtur “Meeting of Styles” në gjysmën e dytë të vitit 2018.

“Pas festivalit kam ardhur edhe një herë për të qëndruar një muaj dhe nuk jam kthyer më”, tregon Suire.

Ajo thotë se në Kosovë gjeti një “kaos” që, sipas saj, të jep një lloj lirie “që ke të drejtë të jetosh dhe të jesh njeri dhe jo një numër brenda shoqërisë”.

Inspirimin më të madh për muralet, Krystel thotë se e ka figurën femërore në formë të kukullave pa shumë tipare në fytyrë.

“Vizatoj këto kukulla me theks te sytë për shkak se, sipas mendimit tim, mund të komunikosh gjithçka vetëm përmes syve edhe pse i kanë të mbyllur, por prapë tregojnë qetësi dhe lumturi”, shpjegon ajo.

Përveç veprave për të cilat është inspiruar, ajo punon edhe murale sipas kërkesës së klientëve nëpër lokale e biznese të ndryshme.

Para se të vinte në Kosovë, Krystel thotë se punoi për 10 vjet me murale në Zvicër, Gjermani, Shqipëri e vende të tjera.

Punën e saj artistike në Kosovë e inspiroi edhe kultura kosovare. Në murin e Komunës së Prizrenit gjendet e vizatuar një vajzë me veshjen tradicionale të zonës së Hasit.

“Ajo çfarë më pëlqen mua te kultura (e veshjeve tradicionale të Kosovës) është që ka shumë ngjyra dhe shumë shije”, thotë Krystel.

Krystel thotë se sheh çdo ditë në rrugët e Prishtinës dhe qytete të tjera se si muralet e saj zbukurohen me kalimin e kohës, pasi, sipas saj, ekspozimi ndaj natyrës i bën ato art të vërtetë të rrugës.

Ajo thotë se u befasua për shtrirjen e gjerë të këtij arti në vendin e vogël në Ballkan.

“Arti i rrugës në Kosovë është shumë i zhvilluar dhe punon shumë mirë me arkitekturën që është beton, katrore dhe e rëndë dhe grafiti i jep ngjyra dhe gjallëri”, thotë artistja.

Krystel tashmë ka zotëruar mirë gjuhën shqipe dhe nuk e ka problem të navigojë në Kosovë.

Tani gjatë kohës së dimrit, ajo ka vendosur të punojë edhe në një qendër thirrjeje pasi puna me muralet është më e rrallë në këtë kohë.

“Nuk dua ta lë Kosovën. Për momentin e kam gjetur veten këtu dhe do të shohim si do të vazhdojë. Por, për momentin jam e lumtur këtu”, përfundon ajo.

Të ngjashme