Rreth 20 kilometra larg Prizrenit të pasur me trashëgimi kulturore, është një tjetër vend që mund të konsiderohet rezervat i aseteve të kulturës materiale. Është fshati Zym, që historikisht njihet si qendër e rëndësishme kombëtare shqiptare.
Për më tepër, natyra magjepsëse e Zymit e kombinuar me arkitekturën e vjetër, që megjithatë ka humbur goxha, është peizazh i jashtëzakonshëm, shkruan sot Koha Ditore.
I ndodhur në një lartësi në krahasim me Prizrenin, qytetin e vjetër e sheh si në pëllëmbë të dorës. Por jeta në këtë fshat nuk është e lehtë. Pikërisht për këtë, shumë banorë e kanë lëshuar fshatin për të migruar.
Shumica e tyre ndodhen në vendet ballkanike, për të punuar me zanatin e trashëguar të furrtarit. Kanë bërë shtëpi të reja për t’i lënë të zbrazëta, e për t’i vizituar në pushime.
Në mesin e shtëpive monumentale aty është edhe ajo në të cilën ka lindur aktorja e shquar shqiptare, Katarina Josipi. Në fakt kjo më shumë është një monument kujtese.