Lidershipi lokal i Prizrenit ka bërë të ditur se për hapjen e Zyrës së Gjelbër në këtë komunë janë siguruar rreth 330 mijë euro. Pjesa dërrmuese e mjeteve për funksionalizimin e kësaj zyre, sipas tyre, do të sigurohen nga donatorët ndërkombëtarë.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se Zyra e Gjelbër në Komunën e Prizrenit do të hapet nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe se ajo do të funksionojë në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, shkruan sot Koha Ditore.
“Funksioni i saj do të jetë ballafaqimi me problemet e ndotjes, riciklimit dhe ndryshimeve klimatike. Projekti “Zyra e Gjelbër” financohet nga UNDP dhe Austrian Development Agency (ADA) me pjesëmarrje të Komunës prej 10 për qind. Shuma e përgjithshme e këtij projekti do të jetë 330 mijë euro”, ka thënë Haskuka, duke theksuar se me përfaqësuesit e këtyre organizatave është biseduar gjatë javës së shkuar për funksionalizimin e kësaj zyre.