Zyra e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller ka kundërshtuar raportimet e BuzzFeed News se presidenti amerikan, Donald Trump ka udhëzuar ish-avokatin e tij të gënjejë para Kongresit, lidhur me një projekt në Moskë teksa demokratët në Kongres janë zotuar se do të hetojnë këto pretendime.
Zyra e Mueller, përmes një deklarate tha se raportimi i Buzz Feed News – që është bazuar në deklaratat e dy zyrtarëve të paidentifikuar të zbatimit të ligjit – nuk janë të “sakta”.
“Përshkrimet e BuzzFeed mbi deklaratat specifike për Zyrën e këshilltarit të posaçëm dhe karakterizimi i dokumenteve dhe dëshmieve të marra nga kjo zyrë lidhur me dëshminë në Kongres të Michael Cohen, nuk janë të sakta”, tha zëdhënësi i zyrës së Mueller, Peter Carr. Megjithatë, ai nuk tha se i gjithë artikulli i shkruar nga BuzzFeed është i gabuar.
Në anën tjetër, BuzzFeed tha se qëndron prapa artikullit të publikuar dhe i bëri thirrje Muellerit të “bëjë të qartë” se me çka nuk pajtohet ai.
Shtëpia e Bardhë i ka cilësuar këto pretendime si “false”, por ligjvënësit demokratë kanë thënë se do t’i hetojnë ato.