Zyra e Presidentes mohon implikimin në rastin “Pantiq”, thotë se “ky model i takon së kaluarës”

Prishtinë | 09 Jan 2023 | 23:11 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka reaguar gazetarit, Ridvan Berisha, i cili në një emision televiziv tha se Osmani është e implikuar në rastin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.

Në reagimin e presidencës në Facebook thuhet se një deklaratë e tillë është gënjeshtër, sajim dhe shpifje e paprecedentë.

”Deklarata e sotme e Ridvan Berishës gjatë emisionit “Politiko” në Kanal 10, kinse Presidentja Osmani është implikuar në rastin “Pantiq”, është gënjeshtër, sajim dhe shpifje e paprecedentë. Presidentja Osmani në asnjë rast dhe në asnjë situatë nuk interferon në punën e organeve të drejtësisë. Këtë NUK e ka bërë as në rastin “Pantiq”, thuhet në reagim.

Gjithashtu është paralajmëruar se presidentja Vjosa Osmani do të padisë për shpifje Ridvan Berishën.

”Ky model i takon të kaluarës. Presidentja punon me përkushtim për ta afirmuar Kosovën dhe për ta forcuar sundimin e ligjit dhe rendit. Liria e fjalës është në funksion të të vërtetës, por jo të shpifjeve. Presidentja Osmani qysh nesër do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjor për këtë shpifje të Ridvan Berishës,” ka shkruar presidenca.

Të ngjashme