Gjykata e Apelit ka nxjerr aktvendimin në rastin e njohur si “Drenica 1”. Të gjithë të akuzuarve në këtë rast, komandantë dhe ushtarë të UÇK-së të Zonës Operative të Drenicës, ua ka konfirmuar dënimet. Ndërkohë, Sami Lushtakut, Sylejamn Selimi dhe Jahir Demakut iu janë “zbutur” dënimet.
Sylejman Selimit, dënimi i është përcaktuar në 5 vite e 3 muaj burgim, ashtu që duke pasur parasysh edhe rastin “Drenica II” i është bashkuar dënimi dhe i është shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 10 vitesh.
Sa i përket kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, ai është liruar nga vepra penale për vrasje dhe dënimi është ndryshuar dhe i është shqiptuar dënim me burgim prej 7 vitesh.
Edhe Jahir Demakut i është bashkuar dënimi në rastin “Drenica I” dhe “Drenica II” dhe i është shqiptuar dënim burgimi në kohëzgjatje prej 7 vitesh.
Pjesa tjetër e aktgjykimit është konfirmuar siç ka qenë aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë i datës 25 maj 2015.
Avokati Tomë Gashi e ka quajtur aktgjykimin skandaloz. “Ai është nxjerrur pa asnjë prove dhe të gjithë janë dënuar me deklaratën e një dëshmitari të mbrojtur, i cili ka probleme mendore të vërtetuara edhe gjatë gjykimit”.
“Ne avokatëve na mbetet që edhe këtë rast ta dërgojmë në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke shpresuar se nuk do të ketë Gjyqtarë të tillë të EULEX-it, të cilët me paragjykime shqiptojnë dënime vetëm për shkak se gjeneral Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Jahir Demaku dhe të tjerët kanë luftuar për lirinë tonë”, ka shkruar Gashi, në faqen e tij në Facebook.