Zyrtare: Martial te Unitedi deri më 2024

Prishtinë | 31 Jan 2019 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Manchester United është i kënaqur të njoftojë se Anthony Martial ka nënshkruar një kontratë të re, e cila do ta mbajë atë në klub deri në qershor të vitit 2024, me mundësinë që të zgjasë edhe për një vit të ardhshëm.

Kështu shkruan në njoftimin për media të klubit anglez, i cili i ka dhënë fund dilemave rreth të ardhmes së francezit.

Futbollisti pas aktit të nënshkrimit ka pohuar se është i kënaqur me klubin dhe po ndihet si në shtëpi te Unitedit.

“Që nga dita kur u bashkova me Unitedin, jam bërë që të ndjehem pjesë e familjes së Manchesterit dhe kam qenë i mbingarkuar nga ngrohtësia dhe dashuria e tifozëve tanë, të cilët vazhdojnë të më mahnitin me mbështetjen e tyre”.

“Unë do të doja të falënderoja edhe Olen dhe stafin stërvitor për besimin e tyre në mua dhe ndihmën që po ma japin për të ngritur nivelin tim të paraqitjeve më lartë”, tha Martial.

Në anën tjetër, trajneri norvegjez Ole Gunnar Solskjaer ka pohuar se “Anthony është një nga ata lojtarët të talentuar që çdo trajner do të donte të punonte. Ky është klubi i përsosur për Anthonyn që të përparojë në zhvillimin e tij”.

Ndryshe, 23-vjeçari ka bërë 162 paraqitje për anglezët dhe ka shënuar 46 gola që nga debutimi në shtator të vitit 2015.

Të ngjashme