Skënderbeu nuk ka më asnjë shans që të marrë pjesë në kupat e Evropës këtë sezon. Lajmi është zyrtar dhe e ka publikuar vetë klubi korçar, që ka njoftuar se CAS i ka dërguar një njoftim, ku e lajmëron se vendimi do të jepet më 12 korrik.
Një shtyrje pa asnjë shpjegim, thjesht nga qershori është kaluar në korrik. Ajo që ka rëndësi është se më 11 korrik Laçi do të luajë në Europa League dhe aty merr fund gjithçka, sepse Skënderbeu vetëm një ditë më vonë do të mësojë fatin e vet.
“Të dashur tifozë dhe sportdashës të KF Skënderbeu, ju bëjmë me dije se palët në gjykim janë njoftuar sot nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv për shtyrjen e vendimit përfundimtar. KF Skënderbeu do të njihet me vendimin në datë 12 korrik… Me Respekt, KF Skënderbeu“, shkruan klubi korçar.
Edhe nëse e fiton çështjen, Skënderbeu nuk do të kërkojë të luajë në kupat e Evropës, por do të kërkojë dëmshpërblim kolosal nga UEFA, për dëmin financiar dhe dëmin në imazh.
Në këtë mënyrë, e gjithë vëmendja është te 12 korriku, ndërkohë që deri atëherë klubi nuk do të bëjë asnjë lëvizje në merkato, duke pritur vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.